A besoni se në Kosovë ka ende familje që s’kanë TV me ngjyra


Gjithçka që ndodh në botë, disa prej familjeve në Kosovë vazhdojnë ta shohin me vetëm dy ngjyra, të vetmet që u shfaqen në televizor, bardh e zi. Përveç mungesës së televizorit me ngjyra, të tjera familje nuk kanë as makinë për larjen e rrobave, e nuk kanë ujë brenda shtëpisë./

Për disa prej familjeve kosovare gjithçka që ndodh jashtë mureve të shtëpisë, ku banojnë është veç bardh e zi. Gjithë kjo në mungesë të një televizori me ngjyra.

Numri i familjeve që nuk posedojnë një televizor të tillë shkon deri në 5 për qind në gjithë vendit. Por, kjo nuk është mungesa e vetme që kanë.

Përveç televizorit me ngjyra, rreth tre për qind e familjeve kosovare, nuk kanë as makinë për larjen e rrobave. Edhe në temperaturat më të ftohta, detyrohen që t’i lajnë rrobat me dorë.

Madje, në shumicën e rasteve edhe jashtë shtëpisë. Disa prej këtyre familjeve nuk kanë as ujë brenda shtëpisë, e të tjerave iu mungon uji i nxehtë.

Së paku kështu thuhet në raportin “Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare 2017”, të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Në bazë të raportit të ASK’së, në ekonomitë familjare në Kosovë, ende ka familje që nuk kanë ujë, toalet e lidhje telefonike brenda shtëpisë.

E derisa në shumicën e familjeve janë më shumë se pesë telefona mobil, rreth 1 për qind e shtëpive nuk e posedojnë as edhe një telefon të tillë.

Për dallim prej familjeve që i kanë këto mungesa, të tjerat që i kanë nuk janë në gjendje t’i paguajnë në kohë faturat për shfrytëzimin e tyre.

Sipas raportit të kësaj agjencie, ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale – faturat, mirëmbajtje të rregullta etj.

“Te ekonomitë familjare që një here nuk kanë mundur të përballojnë pagesat është vërejtur rritje prej rreth 8 për qind në vitin 2017, në krahasim me vitin 2016. Gjatë vitit 2016, 45 për qind e ekonomive familjare dy herë ose më shumë nuk kanë mundur të përballojnë pagesat, ndërsa në vitin 2017 është vërejtur një rënie e vogël prej rreth 2 për qind”, thuhet në raportin e ASK’së. /Gazeta Express