A po na e “merr” Serbia Amerikën?!

NGA DUSH GASHI

Në njërin ndër vitet më turbulente të Kosovës së pasluftës, mbi supet e brishta të së cilës ranë shumë procese e ngjarje të papritura – zgjedhjet e jashtëzakonshme e pastaj edhe rrëzimi i qeverisë dhe krijimi i një tjetre jo stabile, bisedimet me Serbinë në Bruksel, marrëveshja në Uashington e së fundi Gjykata specilale e Hagës me intensfikimin e punës së saj dhe të gjitha këto në një vit në të cilin si edhe tërë bota po përballet me epideminë COVID-19 me të gjitha pasojat e saj – pyetja më shqetësuese, pas marrëveshjes së Uashingtonit, megjithatë mbtetet – a po na e “merr” Serbia Amerikën?

Siç është e ditur, Serbia e nënshkroi marrëveshjen në Uashington, pranoi gjëra që duket se e nxjerrin na pozicionimi i saj i deritanishëm gjeopolitik dhe e afrojnë me Perëndimin dhe, së fundi, në harmoni me marrëveshjen e Uashingtonit, në Beograd zbarkoi edhe Korporata amerikane e financave zhvillimore (DFC), duke hapur zyrën e saj, nëpërmjet të cilës, pas marrëveshjeve që u nënshkruan, pritet të financohen projektet insfrastrukturore e të tjera në Kosovë e në Serbi, por edhe më gjerë në rajon.

Në këtë përpiqen të gjejnë mbështetje vërejtjet se mos, duke e shndërruar Beogradin në qendër dominuese regjionale, ShBA po ia kthen shpinën Kosovës, ndërsa dihet rëndësia e pazëvendësueshme e ShBA-së në luftën e Kosovës, shpalljen e pavarësisë së saj dhe afirmimit të saj në skenën ndërkombëtare e të zhvillimit, procese këto të cilat pa ndihmën e ShBA-së as që do të mund të merreshin me mend.

Nga ana tjetër, nga deklaratat e bujshme pro e kundër kësaj ndërmarrjeje, gati se mbeten të pavërejtura të dhënat themelore se ç’është DFC-ja e si funksionon, si dhe vërejtjet e analistëve më të matur se sa në të vërtetë janë mundësitë reale që këto synime edhe të realizohen.