Një veturë e tipit Mercedes Benz Maybach, e cila kushton jashtëzakonisht shtrenjtë, është parë duke qarkulluar qe disa ditë rrugëve të Mitrovicës. Hiç më larg se këtë javë, vetura është parë prapa objektit të komunës së Mitrovicës Jugore. Ndërsa Express ka mësuar se ajo i takon kryetarit të komunës. Vetë Agim Bahtiri ka treguar për Gazetën Express se çka e lidh atë me veturën superluksoze.
Në Mitrovicë, njerëz të afërt me Agim Bahtirin, kanë treguar se një veturë superluksoze e tipit “Mercedez-Benz Maybach”, është e kryetarit të komunës, që është pjesë e partisë së majtë, Lëvizjes Vetëvendosje.
Bahtiri në një prononcim për Gazetën Express ka treguar se vetura është blerë së fundi dhe se është në emër të djalit të tij dhe se për këtë shkak nuk figuron te regjistri për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
“Është e djalit tem. E ka ble, është drejtor gjeneral i dy fabrikave. Pse çka ka të keqe? Unë s’muj me pas në deklarim të pasurisë, pasi ai jeton në Holandë. Është mbi emër të tij. Hala si ka marr targat. Qetash e ka ndërru, ia ka dhanë Audin dhe disa pare dhe e ka marrë këtë”, ka thënë Bahtiri për Express.
Megjithatë, për arsye të panjohura, vetura për të cilën Bahtiri thotë se është blerë nga djali afarist në Holandë, po shihet nëpër Mitrovicë, më saktësisht i parkuar të objekti i komunës.
Maybach ka hyrë në treg në vitin 2013 dhe është një prej veturave më luksoze në botë, derisa çmimi i një veture të këtij lloji varion nga 100 mijë deri në 150 mijë euro.
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Bahtiri ka deklaruar vetëm një veturë të tipit Audi Q7, në vlerë 10 mijë euro. Ndërkohë, në një vizitë që kishte bërë gazetarja e T7 në shtëpinë e Bahtirit, kishte vënë re edhe një veturë “Range Rover”.
Duke folur për këtë veturë, Bahtiri kishte thënë se i është bërë dhuratë nga djali i tij për ditëlindje, gjatë kohës së pandemisë.
Ndryshe, partia pjesë e së cilës është aktualisht Bahtiri, ka kritikuar në vazhdimësi politikanët për luksin që bëjnë. Veturat e shtrenjta dhe shtëpitë luksoze, kanë qenë pjesë e pothuajse secilit fjalim të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit. /Gazeta Express