Lajm i keq për Haradinajn, kërkohet të ngritet aktakuzë ndaj tij – kjo është arsyeja

Disa ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres së Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha, dhe katër zyrtarëve të tjerë.

Ish-ministrja Hoxha, së bashku më ish-shefin e prokurimit të kësaj ministrie, Fitim Mustafa, dhe tre ish-sekretarët: Demush Shasha, Nuhi Osmani e Kushtrim Cukaj, akuzohen për veprën penale: “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ata akuzohen se i kanë paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim per Bota sot kërkoi që për këtë vepër t’iu ngritët aktakuzë edhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ish-presidentit Hashim Thaçi.

Sipas tij, të gjitha këto ndodhën me dijeninë dhe miratimin e Thaçit dhe Haradinajt.

“Aktakuza e ngritur nga Prokuroria ndaj ish ministres së integrimit, Dhurata Hoxha dhe 4 zyrtarëve tjerë, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, do duhej të zgjerohej dhe në aktakuzë të përfshiheshin edhe kuislingu Hashim Thaçi dhe ish kryeministri i PAN-it, Ramush Haradinaj, kur dihet mirëfilli se të gjitha këto ndodhën me yshtjen, dijeninë dhe miratimin e tyre , përfshi edhe pagesën prej 168 mijë eurove ndaj kompanisë franceze me seli në Paris,”Majorelle PR & Events” për të lobuar për ndarjen e Kosovës”, deklaroi analisti.

Qarri u shpreh se ish-ministrja Hoxha nuk ishte akteri kryesor në lobimin e ndarjes së Kosovës, po ishte argate e dëgjueshme e Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt.

“Kjo për vet faktin se Dhurata Hoxha nuk ishte aktori kryesor por vetëm një nga argatët e dëgjueshëm të kuislingut Thaçi dhe ish kryeministrit Ramush Haradinaj, për të ndihmuar ish presidentin Thaçi në aventurën e tij të trishtë, për ndarjen e vendit, të kamufluar si shkëmbim territoresh, i cili nuk e kishte për turp që tokat e veriut të Kosovës, ti quante edhe dhuratë të Rankoviqit”, theksoi ai.

Tutje, analisti tha se këto përpjekje të ish-ministres Hoxha për shitjen e kësaj tradhëtie, si kontratë për viza, tregon faktin se sa shumë e rrezikuar ishte Kosova.

“Ndaj me gjithë përpjekjet e zonjës Hoxha për shitjen e kësaj tradhtie të lart ndaj vendit dhe shtetit të Kosovës, si kontratë për viza, gjë që nuk është dëgjuar kurrë, të jetë bërë edhe nga ndonjë shtet tjetër, në rajon dhe mbarë Evropën, kjo dëshmon se sa shumë e rrezikuar ishte Kosova nga kuislingu Hashim Thaçi dhe bandat e tij, si presidenti më i papërgjegjshëm politik që ka pasur ndonjëherë vendi”, nënvizoi Qarri.

Krejt në fund, ai potencoi se ky akt i lobimit për ndarjen e vret tepër ndërgjegjen e secilit qytetar të Kosovës. Madje, ai fajtor kryesor për këtë e lë ish-presidentin Hashim Thaçi, ku kërkoi që ai bashkë me argatët dhe bashkëpunëtorët e tij, duhet të dënohet në mënyrën më të rëndë.

“Ky akt bizar vret edhe më tepër ndërgjegjen e secilit qytetar të Kosovës, kur kihet parasysh se, përkundër faktit që Bashkimi Evropian as SHBA, kurrë nuk kanë kërkuar ndarjen as përpjesëtimin e tokave të Kosovës me Serbinë okupatore, kuislingu Hashim Thaçi me argatët e tij, që nga korriku i vitit 2018, nisi një nga proceset më perfide të degradimit të shtetit të Kosovës, i cili përveç futjes në tavolinat e bisedimeve, të ndarjes dhe copëtimit të vendit, ai e pati vënë publikisht në pikëpyetje edhe statutin e vendit sovran, pavarësinë dhe vet ekzistencën e shtetit të Kosovës, për të cilat herët a vonë, duhet të dënohet në mënyrën më të rëndë, bashkë me argatët dhe bashkëpunëtorët e tij, tashmë të njohur antikombëtar”, përmbylli Gani Qarri./ Bota sot