LAJMI FUNDIT: Hashim Thaçi këtë javë ose javën tjetër mund të shkojë në Hagë


24 tetori ishte data e fundit kur Prokurori i Specializuar do të duhej të jepte një konfirmim ose jo të aktakuzës ndaj Presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Tani kur kanë kaluar më shumë se nëntë ditë nga ajo datë, Dhomat e Specializuara në Hagë nuk kanë pranuar të publikojnë ndonjë informacion rreth fatit të këtyre ak takuzave.

Së paku, kanë deklaruar se nuk ka as një të re në lidhje me aktakuzën ndaj Thaçit e Veselit. Mirëpo burimet ndërkombëtare të SYRI.net bëjnë të ditur se gjatë kësaj jave ose më së largu javën e ardhshme, presidenti Hashim Thaçi mund të shkojë në Hagë.

Bazuar në aspektin ligjor, Gjykata është duke punuar në bazë të rregullores, ku në një pikë të saj thuhet që gjyqtari i procedurës paraprake duhet të marrë një vendim brenda gjashtë muajve.

Por kjo periudhë kohore ka skaduar. Ky rregull njëkohësisht thotë edhe se aktakuza duhet të bëhet publike më së largu deri në paraqitjen e parë të të pandehurit para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Pra, janë një mori rregullash që e adresojnë këtë çështje. Rregulli tjetër thotë se paraqitja e parë e të pandehurit duhet të ndodhë brenda shtatë ditësh prej kur i pandehuri e ka pranuar aktakuzën.

Është edhe një rregull shtesë që thotë se kur aktakuza konfirmohet duhet t’i dorëzohet të pandehurit pa vonesa të përligjura. Se aktakuza së paku pjesërisht mund të i jetë ngritur Thaçit, para disa ditëve ka deklaruar edhe avokati Arianit Koci.

Kurse, avokati tjetër, Korab Sejdiu, vonesat për publikimin e aktakuzës ka thënë se mund të jenë edhe për shkak të përkthimit të lëndës e që mund të jetë shumë voluminioze e mijëra dosje.

“Procesi mund të është vonuar edhe për çështje të përkthimit pasi që duhen përkthyer prova që janë me qindra-mijëra për t’iu dorëzuar të pandehurit në një gjuhë që e njeh. Po ashtu, si arsye tjetër ai radhiti edhe atë se gjyqtari mund të ketë kërkuar informata shtesë dhe s’ka mundur ta marrë vendimin”.

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë ka paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe disa personave të tjerë, emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë.