Albin Kurti i pari iu dorëzua serbëve, nuk pranoi të jetë as ushtar i UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 25 mars të këtij viti priti në zyrën e tij përfaqësues të organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së.

Aty u diskutua për çështje të ndryshme.

Por njëra prej çështjeve e cila ngjalli debat në publik ishte tema e pastrimit të listave të veteranëve të luftës së UÇK-së.

E, vetëm një ditë pas, Kurti deklaroi se nuk janë 60 mijë veteranë por 20 mijë, shkruan FrontOnline.

Për deklaratat e kryeministrit Kurti për FrontOnline ka folur edhe ish-Komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

Ai ka thënë se është pikërisht Albin Kurti ai i cili iu ka dorëzuar i pari forcave serbe dhe se këtij të fundit i takon më së paku te merret me pastrimin e listave.

“Unë mendoj se nuk është as koha dhe nuk është as momenti , e më së paku i takon Albin Kurtit që të merret me pastrimin e listave të UÇK-së. Ai është i pari që iu ka dorëzuar forcave serbe dhe nuk ka pranua me marr as armë e nuk ka pranu me qenë as ushtar i UÇK-së”, ka deklaruar Lushtaku për FrontOnline.

I pyetur se në rast se veteranët do të organizojnë ndonjë protestë rreth kësaj, ai ka thënë se do të jetë me ta dhe do t’i përkrahë.

“Unë jam në përkrahje të veteranëve deri në vdekje, do të thotë jam me veteranë sepse edhe vet jam pjesë e kësaj kategorie”, është shprehur ndër të tjera Lushtaku.

Lushtaku, ka deklaruar se edhe ky i ka dyshimet e veta sa i përket listave.

“Sa u përket listave edhe unë kam dyshime edhe e kam thënë me qindra herë se ka njerëz që nuk e meritojnë me qenë veteranë të luftës”, ka thënë ndër të tjera Lushtaku.

Ndaj deklaratave të Kurti, ka reaguar edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj i cili ka thënë se nuk është koha tash që kryeministri Albin Kurti të merret me çështjen e veteranëve.

Sipas tij, sot do të duhej të flitej për rritje të pensioneve për kategoritë e luftës e jo të kthehen debate që tashmë janë të mbyllura./FrontOnline/