“Ata që na bashkohen i kemi vëllezër”

“Ata që na bashkohen i kemi vëllezër”

Ftesa në tavolinën e dialogut dhe kërcënimet e tregimi i forcës. Kjo është loja me dy porta që po bën Turqia për të marrë atë që do nga përplasja në detin Mesdhe me Greqinë. Në mediat turke flitet se në diskutim do të jetë rishikimi i marrëveshjes së vitit 1923 e nënshkruar në Lozanë, duke kërkuar ripërcaktim kufijsh dhe ndarje të re të ishujve, nisur kjo edhe nga deklarata e Presidentit Erdogan për harta pa lidhje.

“Ata që nuk e llogarisin Turqinë në Mesdhe dhe kanë në duar harta pa lidhje duhet të afrohen në tavolinën e dialogut. Ne nuk jemi kundër asnjë marrëveshjeje. Por kjo vlen vetëm në rast kur në dialog vihet me propozime konkrete dhe duke qenë në krahun e drejtësisë. Asnjë fuqi politike apo ekonomike, as pandemia nuk do ta ndalojnë dot Turqinë që të marrë të drejtën e saj gjatë ristrukturimit të botës së re. Nuk do ta lejojmë këtë”.

Kërcënon ata që dalin kundër aksionit në Mesdhe se do të përballen me fundin e tyre, si dhe me lëvizje ekuilibrash në rajon e botë.

“Nuk kemi çfarë t’ju themi më me fjalë atyre që në çështjet e Qipros dhe Mesdheut nuk e shikojnë të vërtetën, nuk njohin historinë dhe nuk marrin parasysh marrëveshjet ndërkombëtare. Ata të cilët thjesht nga zilia që kanë për Turqinë do të prishin ekuilibrat në rajon dhe botë, përgatisin kështu fundin e tyre. Ata që na dalin kundër janë si pemët që kalben nga brenda dhe kanë shumë mundësi të rrëzohen sapo të fryjë stuhia e parë. Prandaj i ftojmë që të mësohen me të vërtetat dhe të drejtat e vendit tonë. As ne nuk duam që vendet e tyre të shkatërrohen nga sjellje që bëhen vetëm për interesa politike dhe ekonomike”.

Foli gjithashtu për miq dhe aleanca, si dhe për armiq e kundërshtarë në rrugën që ka nisur Turqia.

“Të gjithë ata që na bashkohen në këtë rrugë dhe bëhet bashkudhëtarë me ne do ta kemi mik dhe vëlla. Do të ndajmë bashkë bukën dhe nëse do të jetë e nevojshme do të japim jetën për ta. Ata që i kemi kundër, që na ngrenë kurthe dhe janë ziliqarë apo më e keqja edhe na sulmojnë, ta dinë që nuk do t’i harrojmë kurrë”.

Në fjalimin e tij Erdogan foli për Turqinë e Madhe që qëndron përballë lojërave të pista të fuqive të tjera.

“Sa herë që dëgjojnë për Turqinë e Madhe rritet numri i atyre që janë në panik dhe na shikojnë shtrembër. Mos harroni që frika nuk zgjidh asgjë. Do të bëjmë gjithçka që mos të rrëzohemi para skenarëve të errët, lojërave të pista dhe kurtheve që na bëjnë. Nuk do t’i japim mundësinë asnjë kukulle që të përdorë kundër nesh organizatat terroriste dhe vrasjen përmes politikës”.