Atë që e bën Shqipëria për anëtarësimin e Kosovës në NATO s’e bën asnjë shtet tjetër

Një delegacion i Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë po qëndron në Kosovë. Të njëjtit u pritën në takim nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporës të Kuvendit të Kosovës. Rreth dy orë diskutuan për ndikimin e luftës në Ukrainë dhe zhvillimet në rajon. Pas takimit, përmes një konferencë të përbashkët për medie, u zotua mbështetja e Shqipërisë karshi Kosovës për anëtarësim në NATO dhe rrugën euro-integruese.

Nikoqiri i takimit, deputeti, njëherësh kryetari i komisionit, Haki Abazi, tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të unifikojnë më shumë politikën e jashtme. Ai tha se dy vendet duhet të shikojnë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit, përfshirë atë të sigurisë.

“Kjo është vetëm nisma ose vazhdimi i bashkëpunimit. Gjërat konkrete sigurisht që do të komunikohen me publikut në vazhdimësi. Është një situatë dhe mundësi brenda krizës së përgjithshme dhe mirëkuptim duhet të jetë në këtë raport. Por një gjë që duhet thënë dhe që u diskutua është se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm në integrimin evropian edhe në anëtarësim në NATO. Por asgjë nuk e zëvendëson marrëdhënien strategjike që ka Shqipëria dhe Kosova”, tha ai.

Ndërkaq, homologia e Abazit, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme të Shqipërisë, Mimi Kodheli, tha se mbështetja ndaj Kosovës nuk është vetëm një slogan, por një punë konkrete që bëhet në vazhdimësi.

“Ne jemi me Kosovën për Kosovën dhe ky është një slogan i cili vjen normalisht sepse jemi në vizitë në Kosovë. Por është edhe diçka që po punohet vazhdimisht dhe do të vazhdohet në këtë drejtim. Kosova meriton jo vetëm t’i hiqen vizat për të përshpejtohen proceset e veta integruese euroatlantike. Andaj Shqipëria me gjitha forcat dhe mënyrat do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën”, theksoi ajo.

Megjithatë, e pyetur për dallimet e dy qeverive në politikën e jashtme, ajo tha se ka pasur momente të mëhershme kur dallimet kanë qenë akoma më të mëdha se tash.

Por, tha se përkrahja ndaj Kosovës bëhet rregullisht, mirëpo duhet të jenë më informues që mesazhi të vijë edhe në Kosovë.

“Ka pasur momente kur mund të ketë pasur diskrepanca akoma më të madhe sesa ky moment që po jetojmë sot. Ky moment që po jetojmë sot është pozitiv, unë do të shikoja me optimizëm, pasi Shqipëria është anëtare e NATO është e konsoliduar në arenën ndërkombëtare, po ashtu si Kosova ka një pozicion të konsoliduar për qëndrimet e saja dhe rrugët euroatlantike. Nga ana tjetër, është në detyrimin tonë që të jemi më informuese sepse mbështetja që vjen nga Shqipëria për Kosovën bëhet. Mund të ndodhë që mos të vije ky informacion çdoherë deri tek ju”, shtoi ajo.

Ndërkohë nuk pranoi të fliste sa i përket samitit të fundit të NATO-s dhe qëndrimit të kryeministrit Edi Rama, por tha se atë që e bën Shqipëria për anëtarësim të Kosovës në NATO nuk e bën asnjë vend tjetër.

“Nuk do të hyj në këtë diskutim. Besoj se atë që Shqipëria e bën për anëtarësimin e Kosovës në NATO nuk e bën asnjë vend tjetër. Nuk është një surprizë e madhe as për ne dhe as për ju mos prezenca e Serbisë në ndarjen e të njëjtit opinion, vendosjen e sanksioneve që kanë vendosur SHBA, BE-ja dhe jo vetëm”, theksoi Kodheli.

Delegacioni nga Shqipëria zhvilloi takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, derisa dje vizituan Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz./ KP