Bajrami: S’mund të garantoj se 2 milionë eurot e vjedhura mund të kthehen


Ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka folur rreth bashkëpunimin me Guardia di Finanzia pas skandalit të dy milionë eurove të vjedhura nga Thesari i shtetit dhe mundësisë së kthimit të këtyre mjeteve.

Ajo në Pressing të T7 ka thënë se ka kërkuar nga Zyra e Auditorit të Brendshëm që t’i kërkojë Zyrës së Auditimit të Jashtëm të bëjë një auditim mbi Thesarin.

“Para një muaji kam pasur një takim me Guardia Di Finanzia nga Italia për bashkëpunim. Kam kërkuar nga Komisioni Evropian të mbështesë Gurdia di Finanzia për të parë nëse gjëra të tilla kanë ndodhur më herët. Stafi i Thesarit më ka garantuar se kjo nuk ka ndodhur më herët, pasi në çdo fund të muajit bëhet barazimi dhe nuk ka mundësi të ikën asnjë cent”, tha Bajrami.

E para e Financave tha se më me rëndësi është dënimi i autorëve të rastit se sa kthimi i parave.

“Është një skandal i madh dhe krim i madh dhe ndihem e pafat që ka ndodhur kjo. S’kam pasur mundësi ta parandaloj se një gjë të tillë, sepse është hera e parë që ka ndodhur. Unë nuk e di si ka menduar Labinot Gruda se nuk do të kapet kur dihet se në fund të muajit ndodh barazimi? Unë nuk mund të garantoj se mjetet e vjedhura do të kthehen. Nëse nesër do të kthehen paratë dhe autorët e krimit do të lirohen, atëherë ato mjete asnjëherë nuk do të na duheshin, pasi që në pyetje është krimi dhe siguria. Mjetet duhet të kthehen çdo cent, pasi ato i takojnë buxhetit të Kosovës”, ka thënë Bajrami.