“Bashkimi Kombëtar nuk ndodh veç hajt se po kemi qejf”

Bashkimi Kombëtar

Para dy ditëve, u mbajt mbledhja e gjashtë e dy qeverive shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, nën moton “Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij”.

Në këtë mbledhje dy qeveritë nënshkruan 14 marrëveshje bashkëpunimi mes tyre.

Gjatë takimit, Kryeministri I Shqipërisë, Edi Rama theksoi se ambicia e përbashkët është heqja e kufirit me Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ambicia jonë është heqja e kufirit në funksion të zbatimit të 4 lirive të BE-së në rajonin tonë duke filluar nga më e thjeshta dhe më kuptimplota, heqja e kufirit me Shqipërisë dhe Kosovës”, u shpreh Rama.

Njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj në një prononcim për “Bota sot” komentoi deklaratën e Ramës në lidhje me heqjen e kufirit.

Duhanaj tha se takimet e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë shihen në kontekst të integrimit të ndërsjellë. Ai shtoi se bashkimi kombëtar nuk mund të ndodh veç pse kemi dëshirë, por ka procedura për të arritur në këtë pikë.

“Bashkimi kombëtar nuk mund të ndodhë veç hajt se po kemi qejf, por ka një proces të terë procedurash dhe parapërgatitjesh. Bashkimi klasik i dy shteteve nuk është procesi i synuar tashmë, pasi që ky qëllim synohet të arrihet brenda për brenda integrimeve evropiane”, deklaroi Duhanaj.

Duhanaj deklaratën e Ramës e ndërlidhi edhe me idenë e minishengenit, që sipas tij po politizohet nga procesi i Berlinit, ku i është bërë me dije shteteve të Ballkanit se pa integrim rajonal nuk mund të ndodh integrimi evropian.

“Edhe kjo ideja e ashtuquajtur “minishengen” e cila po politizohet tepër rrjedh nga procesi i Berlinit, ku shteteve të rajonit ju është bërë e çartë se pa integrim të ndërsjellë nuk ka integrim evropian. Në këtë̈ kontekst, gjithçka dhe çdo marrëveshje e arritur qoftë në nivelin kombëtarë apo edhe ndërkombëtarë, siç ishte ajo në Shtëpinë e Bardhë, duhet të shikohet nga kjo prizmë”, tha ndër të tjera ai.

Duhanaj deklaroi se shqiptarët për t’i arritur aspiratat duhet të integrohen në mes vete, pastaj me rajonin edhe Evropën.

“Shqiptarët për t’i arritur aspiratat me së miri, kërkohet që ketë integrim në radhë të parë ta bëjnë mes vete dhe tek pastaj me të tjerët, e që mendoj që këto takime janë në ketë linje”, nënvizoi Duhanaj.