Deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, në seancën e Kuvendit në të cilën është i ftuar në interpelancë kryeministri Hoti, ka thënë se Kosova vetëm në luftë ka qenë më keq se që është sot dhe se vendi “po vlon”.
Ai tregoi edhe arsyen se pse e ka votuar Hotin për kryeministër.
“Avdullah Hotin nuk e kam votu për kryeministër për shkak se kam besu se është fort i vendosur, që ka siguri të madhe në vetvete, apo është krejt i pavarur në vendimet që merr, por për shkak se mu ka dok dhe mendoje se është intelektual i mirë i këtij vendi””.
Ndërkaq, për Gjykatën Speciale, Berisha tha se u formua për shkak të “rrenave”.
“ E di që ata çlirimtarë janë të pafajshëm sot, do të jenë të pafajshëm nesër, sepse të gjithë janë çlirimitarë. Kërkoj prej teje si kryeministër që çka ka në dorë ky shtet e kjo Qeveri, atyre njerëzve që sot ballafaqohen me këtë gjykatë të padrejtë e cila u themelua duke besuar se përnime ka ndonjë “shtëpi të verdhë” diku dhe dikush paska nxjerrë veshka që t’i shesë diku e që në fund doli se asnjëra nuk u përmend dhe krej kishin qenë rrena. Në krejt këtë fatkeqësi mirë që së paku nuk na portretizuan si kanibalë. Meqë tani nuk po del të ketë ekzistuar as “shtëpia e verdhë” e as hajnia e organeve, atëherë kjo gjykatë qenka themeluar prej rrenave tona”.
Ai gjithashtu përshkroi edhe një profil të presidentit që i duhet Kosovës – duke aluduar në shefin e partisë së tij, Ramush Haradinaj.
“Unë jam shqiptar edhe besoj në Zot. Por më së paku besoj në rrena e pallavra. Për Kosovën tani duhet me dalë dikush që kur ndërron koha i dhemb trupi prej plagëve. Kosovës i duhet një president, dikush që kur kalon edhe kah varrezat civile, mendon për anëtarët e vet të familjes që për këtë liri i ka në varr. Dikush i cili të shikon në dritë të syrit e të thotë po ose jo. Dikush që e pranon mendimin ndryshe të secilit intelektual, dikush që është i drejtë, i nënshtrohet drejtësisë sa herë të ketë nevojë dhe flamurin e shtetit e mban lartë”.