Çka po ndodh në LDK pas dorëheqjes së Mustafës?

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi është deklaruar pas mbledhjes së sotme të kryesisë së kësaj partie.

Abrashi deklaroi se kryetarët e degëve do të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë.

“Janë kryetarë të degëve dhe vazhdojnë të funksionojnë si të tillë dhe do të merren me organizimin dhe mbarëvajtjen e kuvendit që do të mbahet.

Kryetari ka dhënë dorëheqje, derisa kryetaret e degëve mbesin në detyrë deri në organizimin e kuvendit, i cili do të mbahet pas disa javësh.

Kryetari dhe kryesia do të deponojnë dorëheqjen në kuvend”, ka deklaruar Abrashi.

I pyetur për emrat që deri më tani janë përmendur për të marrë postin e të parit të LDK’së, Abrashi tha se deri më tani nuk ka asgjë konkrete.

“Ne do t’i kemi dy-tri komisione që do të themelohen këto ditë, njëri do të merret me kandidaturat njëri me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Dorëheqja e Mustafës është e parevokueshme.

Ne duhet t’i presim këto organe që do të konstituohen që ta organizojmë procesin e zgjedhjeve të brendshme.

Nuk mund të caktojmë datë por është çështje javësh”, ka thënë Abrashi./GazetaExpress