Çka u sekuestroi Shteti kosovarëve ndër vite, vlera e këtyre pasurive është marramendëse

Rreth 12 milionë euro është vlera e pasurive që shteti i ka konfiskuar nga qytetarët e Kosovës. Përveç veturave, Agjencia e Administrimit të kësaj pasurie menaxhon edhe pasuri të paluajtshme, e shumë gjëra të tjera me vlerë.

Rreth 12 milionë euro është vlera e gjithçkaje që është aktualisht e sekuestruar apo konfiskuar nga organet ligjzbatuese në Kosovë.

Shumica dërrmuese prej tyre janë nën masë sekuestrimi, pasi që dyshohet se janë përfituar kundërligjshëm.

Vlera e saktë nuk dihet ende, porse zyrtarët e këtyre pasurive, thonë se janë në fazë të vlerësimit.

Disa nga pasuritë e luajtshme ruhen në periferi të Prishtinës. Këto vetura të sekuestruara nga shteti ose janë përdorur për kryerje të veprës penale ose janë përfitim nga vepra penale, e vlera e tyre aktualisht arrin në 2,377,000.00 euro.

E brenda depos ka disa dhoma në të cilat gjenden mjete motorike, që ishin gjithashtu, në pronësi të qytetarëve të Kosovës.

Në një tjetër dhomë janë televizorët të sekuestruar, e aparate kazinosh, të cilët Policia e Kosovës i ka marrë nga hapësirat e lojërave të fatit, kur ato u ndaluan në Kosovë.

E një tjetër hapësirë është e mbushur me kompjuterë, që dikur ishin në lokalet ku ushtrohej puna në bizneset call center, përpara se në to të zhvillohej një operacion i gjerë i Policisë së Kosovës dhe autoriteteve gjermane.

Por, diçka edhe më interesante gjendet në këto dhoma, bëhet fjalë për laboratoret e drogave që në Kosovë, së fundmi janë zbuluar e shkatërruar nga Policia në masë të madhe.

Disa që janë kapur në operacionet e fundit ende nuk janë këtu.

E sipas Agjencisë që administron këtë depo, vlera e këtyre pasurive që ndodhet në këtë depo është rreth 85.000.00 euro.

Megjithatë, ky nuk është i vetmi vend ku mblidhen këto pasuri.