Defekti në veturë i detyroi të ndalen, hajni ua vjedh paratë e dokumentet mërgimtarëve

Hajnat në Kosovë përveç shtëpive e biznese të ndryshme që i kanë cak për t’i bërë qyl, siç duket janë në gjendje edhe të shfrytëzojnë fatkeqësinë e dikujt, që të ‘kapin’ sado pak para e gjësende me vlerë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe në magjistralen Prishtinë-Pejë, kur dy mërgimtarë që po udhëtonin nga Aeroporti i Prishtinës për në shtëpi, u përballën me një hajn.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në orët e mesnatës, derisa vetura me të cilën po lëviznin një grua dhe një burrë kishte defekte, për çka u detyruan të ndalen në mes të rrugës.

Derisa ata po tentonin të gjenin një zgjidhje për problemin, një person i panjohur ua ka marrë nga vetura një çantë me para e dokumente.

Përballë këtij rasti me të cilin u ballafaquan posa arritën në Kosovë, mërgimtarët denoncuan rastin në Polici, ku me urdhër të prokurorit kanë nisur hetimet për kapjen e të dyshuarit.