Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërprerë masën e paraburgimit për Dervish Krasniqin që në rrethinën e Klinës njihet si Dervish “Milici”.
Krasniqi ishte arrestuar më 2 tetor nën dyshimet për krime lufte në Kosovë dhe po mbahej në Burgun e Sigurisë së Lartë, ndërkaq një ditë më parë gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për ta ndërprerë këtë masë.
“Pas propozimit për ndërprerje të paraburgimit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për të pandehurin D.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 26.10.2020 ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për ndërprerjen e paraburgimit për të pandehurin D.K.”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndërkohë nga ana e Prokurorisë Speciale nuk është bërë e ditur arsyeja e kërkesës.
Klan Kosova ka shkuar tek banesa e Dervish Krasniqit në Klinë, por ai nuk ndodhej aty ashtu sikur familjarët e tij të cilët, sipas banorëve, tash e gati një muaj nuk vijnë aty.
Një nga viktimat e Krasniqit gjatë viteve të 90-ta për Klanin ka rrëfyer t orturat që ka përjetuar ai bashkë me persona të tjerë nga kjo rrethinë.
Personi, që preferoi të mbetet në kushte anonimiteti, tregoi se për shkak të tij ka edhe shenja të djegies në duar.
“Me dhjetëra herë më është dashur të flej në mal e ara prej Dervishit. Mu ma kanë djegë gishtin me cigare, jo Dervishi, por ai e ka pru punën mem shti në duar të tyre”, shprehet ai.
Ndërkaq, banorë të tjerë konsiderojnë se lirimi nuk duhej të vihej në shprehje, madje edhe arrestimi duhej të ndodhte dekada më parë.