DHL do të importojë pako me vota edhe të shtunën – KQZ nuk i pranon (VIDEO)

Të premten u sollën dërgesat e radhës që përmbajnë vota të mërgimtarëve nga Gjermania që e kanë ushtruar të drejtën e tyre për të zgjedhur.

Gjithsej me DHL në Kosovë kanë mbërritur gjashtë mijë dërgesa me fletëvotime. Por, për shkak të disa problemeve në qendrën e kësaj poste në Gjermani, ka të tjera që kanë mbetur rrugës, njofton Klan Kosova.

Edhe pse të premten përfundon afati ligjor i pranimit të tyre, nga DHL thonë se janë marrë vesh me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që votat të pranohen edhe të shtunën.

Një ujdi të tillë e mohojnë në KQZ. Zëdhënësi Valmir Elezi tha se nuk do të pranojnë pako me vota të shtunën, pasi është kundër ligjit.

Gjithë ky proces, që nga dikush u konsiderua i komplikuar, nuk u komentua nga ambasadori gjerman. Por Rohde thotë se si qytetar gjerman ka votuar në formë të ngjashme si kjo e KQZ-së.

“Herën e fundit kur kam votuar, kam qenë në mision në Srilankë, nga atje kemi pasur mundësinë fillimisht të bëjmë kërkesën, pastaj të votojmë përmes postës apo formave tjera”, tregoi Rohde.

Ai përshëndeti gatishmërinë e mërgatës kosovare për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi, sipas tij, është indikator për zgjedhje të lira dhe shtet demokratik.