E dhimbshme: Ky është 28 vjeçari nga Skenderaj që u dërgua pa shenja jete në Spitalin e Mitrovicës

Gazeta Sinjali raportoi pak më herët se një 28-vjeçar nga Skenderaj është dërguar në Spitalin e Mitrovicës por që i njëjti ka rezultuar të jetë pa shenja jete.

I riu që vdiq është Azem Shaqiri ndërsa arsyet e vdekjes mbeten ende të panjohura.

Për vdekjen e Azemit kanë njoftuar edhe familjarët e tij dhe tifogrupi i Drenicës ‘Shqiponjat e Zeza’ ku i ndjeri ishte anëtar.

“Qyteti jonë sot në zi! Sot Drenica ka humbur njërin ndër tifozët më besnik e ne një antarë të pashoq! Azem, sot jemi të mërzitur tejmase me ikjen tënde por ti do mbetesh gjithmonë i gjallë tek ne! Shqiponjat e zeza shprehin ngushllimet më të sinqerta për familjarët e vëllaut tonë dhe bashkëndjejmë dhimbjen me ta sepse humbja e tyre është edhe humbja jonë!”, thuhet në reagim.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

Ai tha se prokurori i rastit ka urdhëruar hetime për zbardhjen e rrethanave të rastit.

“Sot rreth 14:30 Policia ka pranuar informatën se në Spitalin Rajonal të Mitrovicës është sjellë pa shenja jete një 28-vjeçar nga Skenderaj. Hetuesit policorë me autorizim të prokurorit kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit”, njofton Zahiti.

Ai shtoi se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.