Edhe Kurti po të ishte përballë meje prapë do ta fitoja mandatin e tretë

Rrahman Jasharaj, është zgjedhur në mandatin e tij të tretë si kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës.

Nga 120 delegatë që morën pjesë në Kuvendin Zgjedhor, Jasharaj mori 119 vota.

E para një kohe ai e pati ftuar edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, që të anëtarësohej në SBASHK.

Jasharaj sot deklaroi se edhe Kurti po të ishte përballë tij, ai sërish do të fitonte.

“Jo nuk erdhi. Të ju them të vërtetën deklarata ime ishte nga një lloj nxitjeje që ma bëri sepse ai si kryeministër i Republikës së Kosovës pati momente kur përzihej në çështjet e sindikatave. Jo vetëm të SBASHK-ut, kur deklaronte se udhëheqësit tani duhet të shkojnë.

Dhe unë në atë instinkt të reagimit i thashë: “Eja të garojmë bashkë”. Dhe po të them kësaj radhe se edhe po të ishte Kurti kundër meje unë do të fitoja”, tha Jasharaj në Klan Kosova.