Evropa po mbyllet, Ç’po ndodh në Itali, Gjermani, dhe Austri…


Europa është rikthyer të jetë epiqendra e pandemisë me rekorde të reja të të prekurve me Covid.

Shifrat kanë detyruar disa nga shtetet më të mëdha të zbatojnë masa të forta, ndërsa një mbyllje e dytë duket shumë e afërt. Në shumë vende spitalet po i rikthehen ngarkesës me të sëmurë përtej kapaciteteve.

Aq sa Bashkimi Evropian ka në plan të financojë transferimin e pacientëve përtej kufijve të njërit shtet apo tjetrit. 220 milionë euro janë në dispozicion të këtij plani.

Britania e Madhe

“Rrini në shtëpi”. Kështu është shprehur kryeministri i Britanisë Boris Johnson, i cili sot prezantoi planin e ri të masave që do të hyjnë në fuqi të enjten dhe do të zgjasin deri në 2 dhjetor. “Pub-et, baret dhe restorantet do të duhet të mbyllen. Dyqanet kryesore do të qëndrojnë të hapura kështu që “nuk ka nevojë të krijohen grumbullime”, tha kryeministri. “Mjekët dhe infermierët do të detyrohen të zgjedhin cilët pacientë do të trajtojnë, kush do të marrë oksigjen dhe kush jo, kush do të jetojë dhe kush do të humb jeten,” tha Johnson.

Karantina në Britani parashikon mbylljen e të gjitha dyqaneve jo të domosdoshëm (përjashtohen farmacitë, dyqanet e ushqimeve e pak të tjera) mbyllja e bareve dhe restoranteve, hoteleve, klube dhe kafene, përveç ato me shërbimet ku mund të marrësh produktet me vete. Veç të tjerave është e detyrueshme që kush mund të punojë nga shtëpia, të qëndrojë në shtëpi dhe se nuk mund të dilet veçse për nevojat bazë dhe me lejen e duhur për aktivitete fizike.

Në 31 tetor, Austria njoftoi rikthimin në karantinë për të përballuar pandeminë. Qeveria njoftoi për masat e reja deri në 30 Nëntor, kohë në të cilën do të zgjasë “shtetrrethimi” dhe mbyllja e restoranteve, hoteleve, aktiviteteve kulturore dhe atyre sportive. “Një bllokim i dytë është në zbatim nga e marta deri në fund të nëntorit” njoftoi kancelari Sebastian Kurc në konferencën për mediat.

Itali
Shifrat e rasteve me COVID-19 në Itali kanë prekur rekorde të reja ditore këtë muaj. Spitalet, kryesisht në veri të vendit, vuajtën pasojat e valës së parë të infektimeve. Të mërkurën, numri i pacientëve në terapi intensive në nivel kombëtar u rrit me 125 njësi në 1 mijë e 526, më shumë se kur qeveria aplikoi bllokadën në muajin mars.

Nga 4 nëntori edhe Portugalia do t’i kthehet një karantine të pjesshmë, që do të prekë rreth 70% të popullsisë së saj. E njoftoi këtë kryeministri i Lisbonës, Antonio Kosta. Ndalimi i lëvizjes nëpër komunat me më shumë pasigrui të infektimit: do të mund të dilet nga shtëpia vetëm për aktivitetet thelbësore, si për të shkuar në punë, në shkollë, apo për të bërë blerjet e nevojshme. “Rregulli është, të qëndrojmë në shtëpi” shpjegoi kryeministri.Edhe Greqia do të nisë të zbatojë një bllokim të pjesshëm që hyn në fuqi të martën dhe do të zgjasë një muaj. Zonat do të kategorizohen si zona të mbikqyrjes ose me pasiguri të lartë. Në të parën, një shtetrrethim do të zbatohet nga mesnata në orën 05:00 të mëngjesit. Mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme kudo, ndalohen tubimet ndërsa arsimi i lartë duhet të kryhet në distancë.

Në Belgjikë, kryeministri Aleksander De Kro njoftoi ashpërsimin e masave. Të gjitha dyqanet jo të domosdoshme do të qëndrojnë mbyllur për një muaj e gjysëm. E njëjta gjë do të ndodhë edhe për profesionet ku kontakti njerëzor është i pashmangshëm, si parukeri apo estetistët. Masat e reja hyjnë në fuqi nga data 2 Nëntor. Shkollat do të mbyllen deri në 15 Nëntor. Puna nga shtëpia do të jetë e detyrueshme për ata që kanë mundësi.

Franca është futur në një karantinë të lehtë që nga data 30 tetor. është mbrojtja e re nga koronavirusi që shpresohet se do të zgjasë vetëm një muaj dhe që parashikon që shkollat të qendrojnë të hapura, njësoj si zyrat, fabrikat dhe i gjithë sektori publik. Por nga e hëna është e ndaluar të lëvizësh për udhëtime edhe brenda vendit: nuk mund të largohesh më shumë se 1 kilometër nga shtëpia dhe lëvizjet do të jenë të limituara brenda një orari të caktuar.

Mbyllet edhe Spanja, megjithatë ende në nivel rajonesh. Madridi shpreson ende ta shmangë mbylljen totale. Situata emergjente që shpalli kryeministri Pedro Sanchez pak ditë më parë, i jep rajoneve autoritetin për të vendosur nëse duhet t’i mbyllin kufijtë mes tyre nëse është e nevojshme. Rajonet e Madridit, Kastija-La Mancha dhe Kastija e Lionit kanë vendosur t’i mbyllin kufijtë e tyre deri në 9 Nëntor.

Në Zvicër, pak ditë më parë u dha alarmi në nivel kombëtar. Bare dhe restorante mbyllen që në orën 23.00, klasat universitare do të zhvillohen vetëm online dhe bashkimet familjare apo mes miqsh nuk duhet të mbledhin më shumë se 10 persona, të gjithë me maskë. Kjo e fundit është bërë me detyrim në të gjithë vendin dhe eventet me më shumë se 50 persona në publik janë të ndaluara.

Në Irlandë, nga mesnata e të mërkurës të 21 tetorit, ishte vendi i parë në Europë që riktheu rregullat e forta të karantinës.

Në Gjermani do të ketë një mbyllje më të lehtë se në valën e parë të pandemisë në pranverë. Kancelarja Angela Merkel tha në Bundestag se synimi i masave është “kufizimi sistematik i kontakteve”. Ajo kërkoi që të hiqet dorë nga “çdo kontakt jo detyrimisht i nevojshëm”. Takimet duhet të kufizohen “masivisht dhe më e mira me 75%”.

Masat parashikojnë reduktimin deri në fund të nëntorit, të kontakteve sociale: në publik do të lejohet të takohen jo më shumë se 10 vetë nga 2 familje të ndryshme. Që nga e hëna do të mbyllen edhe restorantet, baret, palestrat dhe do të ndalohen pjesa më e madhe e aktiviteteve të argëtimit publik. Hotelet nuk do të pranojnë turistë. Ndeshjet sportive do të zhvillohen pa spektatorë. Por do të mbeten hapur shkollat, kopshtet dhe dyqanet e ushqimeve.©Lapsi.al