Filozofi rus:”Rusia ia ka borxh Kosovën Serbisë”

“Siç duket përmendja e Kosovës sa vjen e shtohet në Rusi. Kësaj radhe komentet vijnë nga persona që Rusia i konsideron si intelektual të shquar të saj.

Sociologu dhe filozofi politik rus, njëherit themeluesi i idesë së një euroazianizmi të ri, Aleksandar Dugin, i cili konsiderohet të ketë një ndikim të madh në politikën e jashtme të Rusisë dhe presidentin, Vladimir Putin, vuri në dukje se vendi i tij ka një “borxh të madh” ndaj Serbisë, përcjell Novosti.

“Serbët janë të vetmit popull në Evropë që luftuan kundër Imperializmit Perëndimor,” thotë Dugin.

“Në vitin 1999, populli serb mori goditje që ishin të destinuara për rusët”, shtoi ai.

Dugin deklaroi se muret e para të Euroazisë janë ndërtuar në Serbi.

“Serbët janë i vetmi popull në Evropë që luftoi kundër Imperializmit Perëndimor. Kur talasokracia perëndimore u vërsul drejt kufijve tanë si furtunë, atëherë në trojet serbe u ngrit një mburojë dhe një flamur lirie. Muret e para të Euroazisë u ngritën në Serbi. Serbët i morën goditjet që ishin të destinuara për ne”, theksoi filozofi politik rus.

Dugin ka theksuar se Rusia ia ka borxh Serbisë kthimin e Kosovës dhe se duhet ta shlyejë atë borxh në të ardhmen e afërt.

“Borxhi ynë ndaj serbëve është i madh. Nëse serbët nuk do të kishin kundërshtuar Perëndimin, mendjet brenda Kremlinit nuk do të ishin zgjuar me kohë, edhe ardhja e Rusisë së Putinit do të ishte vonuar”.

“Kosovën ua kemi borxh serbëve. Për ta bërë Kosovën sërish serbe: kjo është detyrë historike dhe morale e Rusisë. Ne kemi fushën tonë të Kulikut, serbët kanë fushën e tyre të Kosovës. Por në shpirt, është e njëjta fushë ku do të takojmë dhe mundim armikun në betejën e fundit në Tokë”, përfundon Dugin.