“Fitore e madhe, çlirimi i Kosovës nga Hashim Thaçi”


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, janë pajtuar që duhet të arrihet marrëveshja finale në mes të dyja vendeve.

Këtë e ka bërë të ditur Thaçi dje, pas bisedës që ka pasur me Lajçak.

“Bisedime të shkëlqyeshme me Mirosllav Lajçakun në Bruksel. Dialogu nuk ka alternativë. Kosova dhe Serbia duhet ta arrijnë marrëveshjen finale. Neve na duhet BE-ja dhe BE-së i duhemi ne. Na duhet të veprojmë. Lajçaku ka mbështetjen time në këtë proces”, ka shkruar presidenti.

Ndërsa Lajçak ka thënë se nuk mund të pajtohet më tepër se kaq.

Lidhur me këtë, profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Enver Bytyçi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Thaçi ka qenë kundër emërimit të Lajçak dhe tani biseda të tilla do të bëjë edhe dy javë, derisa të largohet nga posti i presidentit.“Hashim Thaçi duhet ta ketë marrë në telefon Miroslav Lajçak dhe ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi ka qenë i detyruar që të bisedojë me të. Të tilla biseda do të ketë edhe dy javë tjera, derisa Thaçi të ikë nga pozicioni i tij si kryetar i shtetit të Kosovës. Prej kur Lajçak u emërua si ndërmjetës i dialogut Kosovë-Serbi, zoti Thaçi është shprehur publikisht kundër tij. Ai madje pati thënë se nuk e pranon atë si ndërmjetës të këtij dialogu. Ndërsa tani është e dyta ose e treta herë që e merr në telefon dhe bisedon për procesin e dialogut. Të tilla metamorfoza të presidentit të sotëm në detyrë të Kosovës kanë ndodhur shumë, gjë që tregon se kreu i shtetit është në depresion, kërkon rrugëdalje nga sikleti i madh që ai ka. I duket se mos Lajçak është neurolog dhe ia zgjidh stresin mendor që ai ka”, ka thënë ai.

Bytyçi mendon se kjo bisedë kishte qëllim që të tregonte se Thaçi është në lojën politike dhe se ndërkombëtarët e pranojnë atë si partner dhe që ai të pajtohet me politikat e BE-së dhe e gjitha ka qëllim që t’i shpëtojë akuzës ndaj tij.

“Por kjo bisedë kishte më shumë për qëllim t’u thoshte shqiptarëve se “Thaçi është në lojën politike dhe se ndërkombëtarët e pranojnë atë si partner”. Ishte gjithashtu përpjekje e Thaçit për t’u pajtuar më politikat e Bashkimit Evropian, sepse prej tri vitesh ai dhe tani edhe Edi Rama po vjellin vrer kundër tij. Ai e ka lakun në grykë dhe në përmbytjen e vet përpiqet të bëjë gjithçka për të shpëtuar nga Gjykata Speciale. Shqiptarët do të duhet ta dinë se çdo gjë që bën Thaçi me Lajçak dhe me këdo tjetër ka prapavijë personale, t’i shpëtojë akuzës së ngritur ndaj tij. Po të kishte mundësi ai do bashkëpunonte me Lajçak me të njëjtin projekt siç bashkëpunoi me Mogherinin, për ndarjen e Kosovës. Por në pamundësi për ta rikthyer këtë projekt, kërkon që ta joshë dhe t’i shfaqë gatishmërinë e tij për ta mbështetur”, ka vlerësuar profesori.

Sipas tij, presidenti po merret me dialogun pasi ndihet keq jashtë këtij procesi, duke shtuar se nuk i beson asnjë fjalë të tij dhe sipas tij, çlirimi i Kosovës nga Hashim Thaçi dhe i Shqipërisë nga Edi Ramës është garanci për integritetin territorial të të dy vendeve.

“Shkurt, presidenti i Kosovës po merret me dialogun dhe të ashtuquajturën marrëveshje finale, sepse ndjehet keq jashtë këtij procesi. Nëse doni mendimin tim: Unë nuk i besoj asnjë fjale të zotit Thaçi. Është lideri politik i vetëm që u përpoq t’i mashtrojë shqiptarët që ata të pranonin ndarjen e vendit, si zgjidhjen “më fatlume” me Serbinë. Aq më tepër në këtë situatë depresioni që ai kalon. Po afron 24 tetori dhe i kanë mbetur shumë pak ditë për t’i dhënë fund karrierës së tij politike. Dhe kjo do të jetë një fitore e pashmangshme e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Çlirimi i Kosovës nga Hashim Thaçi dhe i Shqipërisë nga Edi Ramës është garanci për integritetin territorial të të dy vendeve. Ndryshe edhe territori do na vihet në diskutim dhe nuk do të ndalet plaga e rëndë që ata shkaktuan me shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet tona”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.