Haradinaj “mbi shtetin”, vetë i 70-i, pa maska e pa distancë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po vazhdon të mos i respektojë masat anti-COVID, shkruan Gazeta Sinjali.


Sot, ai ka publikuar një fotografi ku shihet me mbi 70 persona të tjerë, të cilët thotë se janë nga familjet Jashari, Lladrovci e shumë familje të tjera.

Përveç se nuk kanë respektuar distancën, duke u ngjitur njëri me tjetrin, asnjëri prej tyre nuk ka vendosur maskë mbrojtëse.

Kjo fotografi, sipas Haradinajt, është realizuar sot në Shqiponjë, Jabllanicë.

“Sot në Shqiponjë, Jabllanicën e luftërave të ashpra të luftëtarëve të shquar, me Jasharët, Lladrovcët dhe shumë familje të respektuara. Faleminderit dajë për mikpritjen”, ka shkruar ai në Facebook.

Përveç Haradinajt, në këtë fotografi shihet edhe kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, kreun e Drenasit, Ramiz Lladrovci, i pari i Suharekës, Bali Muharremaj, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Halil Matoshi, shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Daut Haradinaj, deputetët e kësaj partie: Pal Lekaj dhe Haxhi Shala dhe anëtari i kësaj partie, Lahi Brahimaj.