Haradinaj ofertë PDK-së: Nëse m’i jepni votat për President, ua kthej edhe unë!


Ish-kryeministri Ramush Haradinaj që ka ambicie të merr edhe postin e presidentit tha se me dorëheqjen e Hashim Thaçit është krijuar vakuum dhe ai duhet të mbushet.

Ai tha se për figurën e tij kanë respekt edhe partitë e koalicionit, LDK, Nisma dhe AKR, por se i duhen 2/3 e votave të deputetëve. Për këtë ai i ka bërë një ofertë edhe partisë së dytë opozitare, PDK-së, njofton Klan Kosova.

“Unë e kam dhënë një ofertë për të marr edhe besimin e PDK-së. Këtë do t’ia kthejë me votë kësaj partie për ndonjë post të një figure të tyre, qoftë president kryeparlametar, kryeministër. Këtë mund ta bëj edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. Pra, që ata të më japin votat tani dhe ne t’ua kthejmë kur atyre t’iu duhen. Ata mund të votojnë edhe pa marrë pjesë në Qeveri, por pjesëmarrja e tyre do të krijonte stabilitet. Ne po japim premtim në parim. Është vendim i tyre. Ata mund të thonë s’po ia duam votën tuaj pastaj, por nëse e kërkojnë është një borxh politik”.

“Çka ka te kandidatura ime që është e qëndrueshme? Te unë besojnë një numër i qytetarëve në Kosovë edhe nëse s’janë votues të mi. Kategoritë e lirisë, të UÇK-së kanë një respekt për mua edhe pse nuk më japin votë gjithë “.

Haradinaj në Rubikon tha se një ofertë të tillë do të mund t’ia bënte edhe partisë së Albin Kurtit.