Hashim Thaçi: Nuk dal nga politika pa i bashkuar Preshevën dhe Medvegjën Kosovës


Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se ai nuk është për t’u cenuar integriteti territorial i Kosovës. Por, ai vazhdon të jetë pro bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Natyrisht edhe sot unë jam për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Kjo është bindja ime dhe është e palëkundshme, pa u cenuar integriteti territorial i Kosovës. Unë nuk jam për të dhënë territore, por jam për ta integruar këtë pjesë që është më e diskriminuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Presidenti i Kosovës në RTV Dukagjini ka deklaruar se dialogu megjithatë nuk ka alternativë dhe këtë gjë thotë se e ka thënë edhe në Bruksel.

“Nuk duhet të futemi në një proces që është rraskapitës. Njëherë duhet të vijë njohja e më pas proceset e tjera janë të lehta për t’u zgjidhur”.

I pari i vendit tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk mund të dalë jashtë vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Çdo ndryshim do të nënkuptonte formimin e një Republika Srpska në Kosovë”.

Duke folur për taksën 100 %, Thaçi tha se ajo më shumë i ka dhënë prestigj ndërkombëtar Serbisë sesa përfitime ekonomike Kosovës.