Heqja e kufijve
“Bashkë pa kufi, në një rajon pa kufij” ishte motoja e mbledhjes së dy qeverive shqiptare, e mbajtur dje në Tiranë.
Në këtë mbledhje u nënshkruan gjithsej 14 marrëveshje në mes të dyja vendeve.
Mbledhja me këtë slogan mori kritika të shumta, që u vlerësua si një konfirmim i Mini-Shengenit.
Lidhur me këtë, analisti politik, Leon Duhanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se bashkimi kombëtar nuk mund të arrihet pa ndonjë luftë të re, ndërsa që bashkimi mund të ndodhë brenda integrimit evropian, derisa për të Mini-Shengeni është gjetje e keqe për ta zëvendësuar si term procesin e inicuar në Berlin.
“Predikuesit e bashkimit kombëtar në mënyrë klasike, janë mashtruesit me të mëdhenj ndër ne. Një bashkim i tillë kombëtarë nuk arrihet pa ndonjë luftë të re. E vetmja mënyrë se si ne mund të bashkohemi është brenda integrimit evropian. Integrimin evropian madje e kemi të shpallur si qëllim kombëtarë. Nëse për ne integrimi evropian është synim kombëtar, atëherë ku është arsyeja e pengesave drejt kësaj rruge?! “Mini Shengeni” për mendimin tim është një gjetje e keqe për ta zëvendësuar si term procesin e inicuar në Berlin, pra procesin e Berlinit. Regjionit i është kërkuar një integrim i ndërsjellë regjional para integrimit evropian”, ka thënë ai.
Sipas tij, Evropa nuk dëshiron t’i pranojë shtetet e Ballkanit Perëndimor pa pasur paqe mes vete, por marrëveshja e Washingtonit ka bërë që Kosova të trajtohet e barabartë.
“Evropa nuk do t’i pranojë shtetet e Ballkanit perëndimor pa u integruar dhe paqësuar ndër vete. Natyrisht që ky proces është politizuar me deklarata nacionaliste për konsum të brendshëm si nga pala serbe e cila është munduar që Kosovën ta injorojë dhe ta pengojë barabarësinë e saj në këtë projekt, por që marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, ka bërë që këto të largohen, duke e trajtuar Kosovën si vend të barabartë me të tjerët”, ka vlerësuar ai.
Duhanaj shton se takimet e dy qeverive duhet parë në prizmin e para integrimit, harmonizimit dhe koordinim të interesave kombëtare në mënyrë që në rast integrimi të jemi unik në mbrojtjen e interesave kombëtare.
“Në anën tjetër, takimet e dy qeverive duhet t’i shohim në prizmin e para integrimit, harmonizimit dhe koordinim të interesave kombëtare në mënyrë që në rast integrimi të jemi unik në mbrojtjen e interesave kombëtare. E di që për partitë jashtë pushteti është e nevojshme të bëhet politikë opozitare. Por nuk besoj që abuzimi me tema të karakterit nacional i shkon në shërbim këtij qëllimi. Heqja e kufijve do të ndodhë deshëm apo nuk deshëm ne, prandaj sa më mirë të jemi të harmonizuar mes vete, aq me mirë do të gjendemi në hapësirën e madhe të botës së globalizmit”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.