Hisen Berisha, Kurtit: Albin – ti s’di as çka po flet, mos i provoko veteranët, mos i nxjerr në rrugë

Paralajmërimi i kryeministrit Albin Kurti, se veteranët nuk do të përfshihen në Ligjin e Pagave dhe se nuk janë më shumë se 20 mijë veteranë të luftës në Kosovë, ka ngjallur reagime të ashpra në vendin tonë – sidomos nga ata që njihen si ‘krahu i luftës’.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj (ish-komandant i Zonës së Dukagjinit), tha se mund t’ia marrim lirisht si kërcënim një deklaratë që e bëri në emisionin e debatit të Dukagjinit. Ai tha se ‘veteranët mund t’ia ndalojnë Kurtit të hyjë në zyre’ nëse shefi i qeverisë do të vazhdonte t’i trajtonte kësisoji. Periskopi ka biseduar edhe me ish-komandantin e UÇK-së në Koshare, zotin Hisen Berisha, tani deputet i PDK-së.

Sipas tij, kryeministri Kurti po e ringjallë temën e veteranëve, për ta tërhequr vëmendjen prej shumë çështjeve të rënda sociale që e kanë goditur Kosovën.

Berisha, i cilëson deklaratat e Kurtit si një lojë të pandershme që për qëllim ka’ shpërqendrimin e vëmendjes nga çështjet e rënda që e kanë goditur Kosovën dhe popullin e saj’

“E para, kjo duket për me tërheq vëmendjen prej çështjeve shumë të rënda në aspektin social që e kanë goditë popullin dhe Kosovën. Është një lojë shumë e pandershme që ka përzgjedh kategorinë më sensitive shoqërore, që janë veteranët, me i trajtue në këtë aspekt”..