Historia e ujit Zem Zem, si erdhi tek burimi dhe pse u emërtua me fjalën “Zem Zem”? (VIDEO)

Ibrahimi [alejhis-selam] i la në mes të shkretëtirës dhe largohet. Pasi përfundoi ushqimi dhe uji, djali i vogël dhe vetë Haxhereja, filluan të ndiejnë etje. Ismaili [alejhis-selam] përpëlitej dhe qante me të madhe nga etja dhe uria. Vendi ku ndodheshin ishte shkretëtirë e thatë, vend në të cilin nuk kishte shkelur këmbë njeriu. Të dy përballeshin me një sprovë nga më të vështirat. Haxhereja filloi të shohë nga kodrat përreth. Po të shohësh rreth Qabesë, do e gjesh të rrethuar me kodra dhe male të shumtë. Nëse ngjitesh sipër një kodre, do të shohësh të tjera që vijnë rresht. Nuk ka asnjë shpresë… ku mund të shkojë?

Ajo e lë vetëm djalin, i cili përpëlitej dhe qante, dhe ngjitet mbi një kodër që quhet Safa, por nuk dallon asgjë. Kur zbret nga kodra, dëgjon zërin e djalit që qante. Kjo e bën të vrapojë drejt kodrës tjetër me shpresë se mos dallon dikë. Të gjithë haxhilerët që shkojnë të kryejnë haxhin, vrapojnë në këtë vend. Është pikërisht vendi ku Haxherja dëgjonte të qarët e djalit dhe vraponte për në kodrën tjetër. Kur lodhej nga vrapimi, ajo fillonte të ecë. Ngjitej në kodrën tjetër, Merve, me qëllim që të dallojë dikë, por askush nuk lëvizte. A i imagjinon dot rrahjet e zemrës së saj? A e imagjinon zhgënjimin që përjetonte në ato çaste? Megjithatë, përsëriste fjalët: “Nuk do të na humbasë Zoti.” Edhe pse ishte e rrënuar shpirtërisht, e raskapitur fizikisht, ajo nuk e humbiste shpresën tek Zoti. Kush mbështetet si duhet tek Zoti, padyshim që nuk do të zhgënjehet.

Rrugën mes dy kodrave, Safa dhe Merve, ajo e bëri shtatë herë. Sa herë që zbriste nga një kodër dhe dëgjonte të qarët e Ismailit [alejhis- selam] ajo nxitonte për tek kodra tjetër, me shpresë se do të shohë dikë.

Në herën e shtatë ajo dëgjon një zë. Teksa dëgjon zërin, i thotë vetes: “Hesht, hesht!” Zëri që dëgjoi, ishte zhurma e ujit kur buron. Ishte ujë që kishte filluar të burojë tek këmbët e djalit të saj, Ismailit. Ajo kërkonte mbi kodra, kurse fumizimi i vjen nga këmbët e foshnjes. Kishte ardhur Xhibrili [alejhis-selam], kishte goditur tokën tek këmbët e Ismailit [alejhis-selam] me krahun e tij e kështu kishte buruar ujë. Pra, historia e burimit të Zemzemit është se ai buron si rezultat i goditjes së tokës tek këmbët e një profeti, nga krahët e një meleku. A e imagjinon pastërtinë dhe madhështinë e kësaj pjese toke? Me të arritur tek foshnja,ajo dalloi ujin që po buronte. Ngaqë iu duk pak ujë, nga frika se mos humbet në rërë, ajo filloi të mbledhë rërën rreth tij dhe të formojë një pellg të vogël duke përsëritur fjalët: ” Zem Zem…”(grumbullohu, grumbullohu). Nga këto fjalë, burimi njihet edhe sot me emrin “Zemzem”.

Thotë profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]:”Zoti e mëshiroftë nënën e Ismailit. Nëse nuk do kishte nxituar, burimi i zemzemit do të vërshonte si lum.” (Imam Ahmedi, 1/360)