Hoxhaj: Secila familje sa dëshmorë ka aq pensione do të marrë

Kandidati për kyeministër nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë një tubimi në qytetin e Ferizajt ka thënë se partia e tij ka në programin qeverisës një fond prej 500 milionë eurosh, si mbështetje për ndërmarrjet e reja.“Ne duam ta zhvillojmë ekonominë që është goditur nga pandemia. Një fond prej 500 milionë eurosh për çdo ndërmarrje që ka me pasë nevojë dhe çdo ndërmarrje që do të krijojë vende të reja të punës”, ka thënë Hoxhaj.Ai ka premtuar rritje të pensionit të veteranëve dhe të kategorive të tjera të luftës së UÇK-së.
“Rimëkëmbja për pjesën më të lavdishme të kombit shqiptar, nënkupton mbështetjen tonë modeste, për rritjen e pensionit nga 170 në 300 euro. Natyrisht që nuk mund të përkthehet në asnjë formë kontributi i veteranëve me rritje të pensionëve, nuk është vlerë që matet, por vetëm si shenjë respekti dhe mirënjohje.

Tash kemi vendosë që çdo familje sa ka dëshmorë aq pensione do të japim”, ka premtuar Hoxhaj në Ferizaj.Gjithashtu, Hoxhaj ka folur edhe për pandeminë, duke premtuar se brenda vitit 2021, nëse bëhet kryeministër, do të vaksinojë 70% të popullatës në Kosovë, me vaksinën kundër COVID-19.“Po ballafaqohemi me një situatë të pandemisë, jemi e vetmja parti që ka hartë të qartë se si do të ndodhë vaksinimi. Në tërë Republikën e Kosovës, gjatë vitit 2021 ne do të vaksinojmë 70% të popullatës”.“Ne po ashtu jemi parti politike që në këto zgjedhje hyjmë me një program të veçantë. Nuk është një program që është kriju vetëm në selinë e PDK-së, por kemi diskutu me qytetarët kudo, edhe në Mitrovicë, Ferizaj, Prishtinë, Prizren, Gjakovë”, ka thënë ndër të tjera Enver Hoxhaj.