“Infermierë në hyrje të sallave”, kështu do të organizohen dasmat tash e tutje në Kosovë


Personat e parë me të cilët do të kenë kontakt të ftuarit nëpër dasma dhe ahengje në vend, tash e tutje do të jenë infermierët. Ata do të qëndrojnë të dera e sallës dhe do të kontrollojnë temperaturën e të gjithë të ftuarve. Por, cilat janë masat e tjera që duhet të respektohen nëpër restorante për t’u organizuar evente të tilla?

Pas uljes së rasteve të reja me COVID-19 në vend, Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës po kërkon nga Ministria e Shëndetësisë lejimin e organizimit të dasmave dhe ahengjeve.

Madje, kjo shoqatë e ka përgatitur edhe një manual se si do të duhej të mbaheshin këto evente.

“Bazuar në faktin se në ditët e fundit kemi rënie të dukshme të numrit të të infektuarve dhe tashmë manuali si të veprohet është i gatshëm, OHTK kërkon që të lejohen Ahengjet dhe Dasmat. Bazuar në premtimet e marra, OHTK-ja beson se së shpejti do të hapen Ahengjet, Dasmat dhe Banjat”, thuhet në kërkesën e saj drejtuar MSH-së.

Bazuar në këtë manual, tash e tutje në hyrje të sallave do të angazhohet një infermier me një orar 2 orë pune, cili do t’ua kontrollojë temperaturën mysafirëve. Mëditja e tij do të jetë 30 euro dhe për pagesën do të kujdesen pronarët e sallave.

Rregulla të reja do të ketë edhe për kamerierët dhe të tjerët që do të angazhohen në shërbim.

“Punëtorët ose kamerierët do të shërbejnë me dorëza dhe do ta kryejnë shërbimin në një tavolinë me diametër 2m në të cilën do të lejohen të ulen maksimum 8 persona, distance 2m e tavolinës nga tavolina tjetër”, thuhet në manual.

Obligative do të jetë edhe posedimi i një liste me emrat e të pranishmëve në aheng që në rast të ndonjë shenje apo dyshimi të virusit të kenë adresë për gjurmim dhe këto shënime të ruhen së paku dy javë si dhe lokali afarist të paraqesë se cili punëtor ka shërbyer në ato tavolina.

Ndërkohë, i gjithë stafi do t’i nënshtrohet kontrollit mjekësor si gjithmonë nga mjekët sanitar.

Me manualin e ri, pronarët e sallave duhet të dezinfektojnë objektin, sallën, kuzhinën dhe të vendosin shenja paralajmëruese për kujdes të shtuar si dhe dezinfektues me bazë alkooli nëpër salla.

“Menaxhmenti do të ketë rol kyç dhe të jenë në nivel detyre me qëllim të respektimit të masave nga ana e stafit në mënyre efektive t’i kontrolloj pikat dezinfektuese brenda dhe jashtë objektit të kujdeset që ato të jenë të mbushura me produkte si sapun dhe dezinfektues të kujdesen në pastërtinë e stafit si dhe pauza të shkurta kohë pas kohe personat përgjegjësi të kontrollojnë zbatimin e masave”, thuhet tutje në manual. /Gazeta Express/