“Ishalla i vjen vakti Kosovës që ta ketë një president si Murat Jasharin”


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka deklaruar se partia e tij nuk do ta përkrahë Ramush Haradinajn për postin e presidentit.“Haradinaj e ka shpallur vetëm dëshirën, deri sot s’ka kandidaturë por shprehje gatishmërie. Por pse të AAK-së? Pse ne duhet ta mbështesim AAK-në? Veç pse ai ka qejf a? Nuk shkojnë kështu gjërat. Ka rrethana edhe kushte që në Parlamentin e Kosovës të gjithë të mbështesin një kandidat. Nuk jap emra, por ka Kosova aq vlera me emra që do e kishin fituar mbështetjen e gjithë spektrit politik.”I pyetur se nëse do ta përkrahte Murat Jasharin për këtë post, meqë si emër i propozuar kishte dalë nga partia e tij, Selimi u shpreh se “ishalla vjen vakti i Kosovës që ta ketë një president si Murat Jashari. Me gjithë dëshirë do ta votoja dhe një votë do më dukej pak ta jepja për të, por tani nuk jemi në atë fazë”.

“Do të ishte mirë, vlerë e shtuar që kandidati për president të ishte apartiak. Më partiakë se sot s’kemi pasur kurrë, ky është edhe klanor. Do të ishte vlerë e shtuar sikur ta gjenim një president që do të ishte mbi partitë e që do t’i përfaqësonte të gjithë. Do të ishte më mirë akoma sikur të ishte apartiak.Ky popull ka vlera më të larta sesa ka sot në Parlament dhe sesa ka në Qeveri. Nuk jemi ne më të mirët që kemi shkuar atje. Është lehtë me e gjet personalitetin, por është më vështirë me e gjet konsensusin”, shtoi ai.Selimi tha se Jashari nuk krahasohet me Haradinajn, pavarësisht rolit të këtij të fundit në luftë.

“Murat Jasharin kurrë s’e keni dëgjuar të anojë nga ndonjë subjekt politik, pra nuk krahasohet me Haradinajn. Nuk e mohoj kurrë rolin e Haradinajt në luftë, por në këtë rast për të flas si kryetar partie. Sot nuk mund t’i bie ndërmend një kryetari të një partie e cila renditet e katërta dhe të thotë se ‘unë duhet ta kem postin e presidentit’. Haradinajn s’e kam në listën e njerëzve që e diskutoj për president”, theksoi Selimi në Rubikon.