Ja për çfarë po akuzohet Jakup Krasniqi nga Gjykata Speciale


Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi është nisur tashmë për në Hagë. Veprat për të cilat ai dyshohet nuk janë ende të specifikuara, derisa urdhër-arresti i është dorëzuar sot kur edhe kanë filluar bastisjen pjesëtarët e EULEX-it.

Kështu ka deklaruar avokati i Krasniqit, Valon Hasani në një konferencë për media, sipas të cilit tashmë është bërë nisja e tij për në Hagë, por që i njëjti dyshohet për veprat të cilat nuk janë specifikuar.

“Prokuroria e Specializuar ka pasur një aksion dhe në bazë të urdhrit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara është bërë arrestimi i Jakup Krasniqit. Tani sapo është nisur për në Hagë. E konfirmuan aktakuzën kundër tij. Pritet që shumë shpejt të caktohet data e seancës… Procedura prej mëngjesit ka zgjatur për shkak se ka qenë operacioni i bastisjes në shtëpinë e Krasniqit. Dyshohet për vepra të cilat nuk janë të specifikuara, janë në kuadrin e veprave të cilat janë në juridiksionin e Dhomave të Specializuara”, tha Hasani.

Ai ka shtuar se urdhër-arre sti për Krasniqin është bërë i ditur sot, kur edhe ka filluar bastisja.

Në emër të familjes, Dardan Krasniqi tha se nuk e dinë se çfarë është marrë nga shtëpia gjatë bastisjes. Ndërkohë që ka konfirmuar se bastisje është kryer edhe në shtëpinë e tyre në vendlindje.

“Është bastisur edhe shtëpia në vendlindje në Negroc, kaq dimë për momentin asgjë më shumë”, ka njoftuar ai.