Mbi 900 mijë shtetas nga Ballkani Perëndimor jetojnë në Gjermani. Mbi 350 mijë janë në marrëdhënie të rregullta pune, shumica si të kualifikuar. Por pagat e tyre janë më të ulëta se të gjermanëve.Afro 1 milionë (921 419) shtetas nga Ballkani Perëndimor jetojnë (dt. 30.06. 2020) në Gjermani. Prej këtyre numrin më të madh e përbëjnë kosovarët, me 236 937, të pasuar nga shtetasit me pasaportë serbe (226 048), vendin e tretë e zënë shtetasit nga Bosnja-Hercegovina me 209 258. Shtetasit nga Maqedonia e Veriut zënë vendin e katërt me 118 580. Numri i shtetasve nga Shqipëria ishte 70 197.
Këto të dhëna, të marra nga Regjistri Qendror i të Huajve, i ka vënë në dispozicion qeveria gjermane në një përgjigje ndaj një pyetjeje me shkrim të shtruar nga grupi parlamentar i partisë Alternativa për Gjermaninë. Deputetët e kësaj partie René Springer, Jürgen Pohl dhe Martin Hesse, me kërkesën e tyre synonin të kuptonin se sa është përfitimi i Gjermanisë prej Rregullores së Ballkanit Perëndimor, e cila do të zgjatet deri në vitin 2023.