Kryeshefi i a rrestuar del i varfër: Bën jetë në garsoniere, veturë të lirë, gruaja në market (Pasuria)

Sot Policia e Kosovës e ka ndërmarrë një aksion në të cilin ka arrestuar disa zyrtarë të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor [AZhB]. Mes këtyre zyrtarëve ishte edhe Agim Nuha, ushtrues i detyrës së kryeshefit. Por cila është pasuria e tij e deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit [AKK]?

Nuha ishte emëruar si u.d. i kryeshefit të Agjencisë në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Paraprakisht, ai kishte kryer detyrën e drejtorit të Financave brenda AZhB-së.

Në deklarimin e tij të pasurisë, të dorëzuar në AKK, pasuria e tij del të jetë mjaft e vogël – marrë parasysh deklarimet e bëra nga politikanët kosovarë të të gjitha partive, përcjell Periskopi.

Del se z.Nuha ka një banesë me vetëm 37 metra katrorë që e ka blerë për 18 mijë euro si pasuri të paluajtshme.

Po ashtu, ai vozit një veturë “Fiat” që kushton diku 3 mijë euro, e të cilën e ka blerë me kredi.

Si para të gatshme ai ka deklaruar vetëm 500 euro, prej të cilave 300 janë të bashkëshortes së tij.

Z.Nuha del se ka marrë edhe një kredi për mobilimin e banesës së tij 37 metërshe me vlerë prej 6 mijë e 500 eurove.

Për nëntë muaj ai thotë se është paguar nga 649 euro nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Agjencioni për Zhvillimin e Bujqësisë. Po ashtu, për tre muajt e mbetur të vitit është paguar me pagë 1 mijë e 230 euro.

Gruaja e tij del se i punon në Maxi Market me një pagë prej 250 eurosh.