Ky është pIani i vërtetë i Beogradit në veri, ndërkombëtarët ta regjistrojnë këtë

Kryeministri Albin Kurti tha se në gjithë situatën e krijuar së fundmi në veri të vendit, një gjë e brengosë më së shumti. Sipas tij, shpëthimet dhe të shtënat e armëve në atë pjesë të vendit ditët e fundit e kanë zbuluar qëllimin e vërtetë të Serbisë.

Kurti tha në një konferencë për media se tani që targat e automjeteve dhe zgjedhjet nuk mund të përdoren si pretekst nga Serbia, bandat kriminale të dirigjuara nga Beogradi do të shpikin diçka për ta zbatuar planin e tyre.
Kurti tha se plani është barrikadimi i veriut dhe jo vetëm kaq.

“Ajo që po më brengos më së shumti është që po del qëllimi i vërtetë i dorëheqjeve të policëve që u urdhëruan nga Beogradi. E ky është që në Kosovë të mos ketë uniforma me të cilat janë serbët. Rrjedhimisht, bandat kriminale të mund të qëllojnë mbi uniforma në Kosovë, sepse ato janë ose Policia e Kosovës me shqiptarë, boshnjakë, romë, ashkali, egjiptianë, goranë e turq, ose janë unifmrat e EULEX-it me ndërkombëtarë e europianë… Pra, në njëfarë mënyre, po del që urdhri i Beogradit që të dorëhiqen serbët nga uniformat në Kosovë është që këto banda kriminale ta kenë sigurinë e plotë që kur të qëllojnë te njerëzit e uniformuar, ata janë të sigurtë që aty nuk ka serbë. Kjo tregon çfarë mendësie etnike ekskluzive kanë ata”, tha shefi i Qeverisë.

Kjo, Kurti tha se “duhet të regjistrohet prej të gjithë faktorëve ndërkombëtarë”.