Duket se qyteti i Laipcigut po përgatitet për një protestë të madhe kundër masave të reja të qeverisë për të mundur COVID-19. Policia përballet me sfidën e ruajtjes së rendit, duke respektuar të drejtën për të protestuar.
Tashmë demonstratat e Gjermanisë kundër masave anti-virus të shëndetit publik janë bërë pjesë e aparatit politik. Por kur ato nisën në qershor, vëzhguesit u tronditën kur panë dhjetëra-mijëra njerëz që tuboheshin rregullisht anembanë vendit si një lëvizje e njohur si “Querdenker” (“mendimtarë lateralë”), e krijuar aty për aty.
Lëvizja, e cila tani ka degë në më shumë se 50 qytete në gjithë vendin, në faqen e saj në internet deklaron se qëllimi kryesor është të mbështesë të drejtat themelore të parashikuara në Ligjin Themelor Gjerman – Kushtetuta e Gjermanisë – veçanërisht liritë e mendimit, shprehjes dhe tubimit.
“Ne po shohim një atmosferë gjithnjë e më të nxehtë në protestat e koronës”, i tha agjencisë së lajmeve DPA Martin Pallgen, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Berlinit. “Ekziston veçanërisht një qëndrim më i fortë, verbalisht më i dhunshëm ndërmjet mohuesve të virusit ndaj oficerëve të policisë, kundër demonstruesve dhe përfaqësuesve të medias”.Lëvizja Querdenker është krijuar në rrugë, nga një aleancë e pazakontë e lëvizjeve të ekstremit të djathtë dhe ekstremit të majtë, si dhe nga një grup i vogël konspiracionistësh. Shpesh protestuesit shfaqeshin egërsisht të keqinformuar rreth virusit dhe si rrjedhojë mosbesues ndaj masave të ndërmarra nga qeveria.
Angazhimi i lëvizjes ndaj rendit demokratik të Gjermanisë u vu gjithashtu në dyshim në fund të gushtit kur disa persona në një nga demonstratat më të mëdha Querdenker në Berlin – ku morën pjesë rreth 38.000 vetë – mësynë në shkallët e ndërtesës së Parlamentit të Gjermanisë, Reichstag.
Përveç disa histerive të shkurtra mediatike pas asaj incidenti, lëvizja tashmë vepron me demonstrata në shkallë më të vogël në të gjithë vendin – ndonjëherë të organizuara nga grupet aleate.
Një ndryshim tjetër, natyrisht, është se tani Gjermania prej disa ditësh ka hyrë në një fazë kufizimesh të pjesshme, me mbylljen e restoranteve dhe hoteleve dhe rregulla shumë më të rrepta për tubimet e njerëzve.
Kundërshtimi ndaj masave të tilla është bërë më i përhapur në popullatë që nga bllokimi i parë i Gjermanisë në mars dhe prill: Frika fillestare nga infektimi me COVID-19 i ka lënë vendin shqetësimeve më të forta në lidhje me pasojat ekonomike të një mbylljeje të tejzgjatur.