Luksi i pushtetarëve të PDK-së, Prizreni harxhon mbi 15 mijë euro në dreka e darka

Gjithsej 15 mijë e 248 euro ka shpenzuar Qeverisja e PDK’së në Prizren për dreka zyrtare për vetëm gjashtë muaj gjatë këtij viti.

Ndërsa 888 euro mëditje vetëm për dy muaj nga kryetari Shaqir Tolaj dhe nënkryetari Kujtim Gashi.

Gazeta Insajderi ndërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike ka siguruar listën e shpenzimeve.

Pritja për Klubin e Futbollit “Beshiktash” nga Turqia i kushtoi komunës së Prizrenit plot 1 mijë e 379 euro.

Ndërsa rreth 600 euro më shumë u shpenzuan për pritjen e ish-presidentit të Kroacisë, Stipe Mesiç. Gjithsej 1 mijë e 813 euro.

Shumën prej 3 mijë eurove komuna ia dedikoi drekës zyrtare për “Shkollën Verore Ndërkombëtare 2022”, kurse 2 mijë euro u shpenzuan për drekën e Forumit të Bizneseve të Diasporës.

E për festat e muajit qershor, qeverisja e Partisë Demokratike të Kosovës harxhoi më shumë se 2 mijë e 300 euro.

Iftari në muajin e Ramazanit për përfaqësuesit e institucioneve kushtoi plot 2 mijë e 370 euro.

Ndërsa, nënkryetari Gashi ka marrë 252 euro mëditje brenda dy muajve.

Ai kishte udhëtuar një herë në Gjermani dhe një herë në Durrës në maj të këtij viti.