Me këtë veprim të SHBA-ve, merr fund ëndrra e Vuçiqit dhe disa shqiptarëve për ndarjen e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhuruar Forcës së Sigurisë së Kosovës 55 automjete ushtarake..

Për pritjen e këtyre automjeteve u organizua një ceremoni ku morën pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti i shprehu mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyeshme për zhvillimin e sistemit të mbrojtjes së vendit tonë.

Ky donacion u dëshmoi se marrëdhëniet Kosovë-Amerikë po forcohet edhe më shumë dita-ditës.

E lidhur me këto donacione të SHBA-ve dhe forcimin ushtarak të Kosovës në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai donacionin prej 55 automjeteve ushtarake nga Amerika e cilësoi si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e shtetit të Kosovës, duke treguar edhe rëndësinë e këtij donacioni.

“Donacioni amerikan për ushtrinë e Kosovës me 55 automjete të blinduara (ASV) është një ngjarje domethënëse dhe me rëndësi të jashtëzakonshme për të sotmen e të ardhmen e shtetit të ri të Kosovës. Këto mjete janë modern, kanë aftësi veprimi në mbrojtje të territorit të vendit. Ndihma amerikane për Forcat e Sigurisë ose ushtrinë e Kosovës duhet lexuar në shumë dimensione”, deklaroi profesori.

Sipas Bytyçit qëllimi kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është përforcimi i Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe rritja e aftësisë mbrojtëse të saj.

“Së pari, SHBA-të janë të interesuara që Kosova të bëhet një shtet i fuqishëm dhe i qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ato kanë interesa jetike në këtë drejtim. Rritja e aftësisë mbrojtëse të Kosovës është ndihmë e madhe për Amerikën dhe Aleancën Atlantike. Nëse Kosovës i jepen mjete modern për mbrojtjen e vendit, atëherë NATO dhe KFOR-i zvogëlohen dhe shpenzimet për sigurinë e Kosovës kufizohen”, theksoi ai.

Krahas kësaj, profesori u shpreh se me këtë donacion po dëshmohet se Amerika ka rritur besimin e saj në institucionet e Kosovës. Duke shtuar se shkak i qeverisjes së suksesshme të institucioneve të Kosovës, tani partnerët ndërkombëtar nuk hezitojnë të ndihmojnë shtetin tonë.

“Së dyti, ky donacion dëshmon se SHBA-të kanë rritur besimin te institucionet e Kosovës. Një qeverisje që rrit besimin te partnerët e saj, ajo është qeverisje e suksesshme. Nëse një qeveri dhe institucionet e tjera luftojnë kundër korrupsionit dhe punojnë për ndërtimin e shtetit të së drejtës, atëherë aleatët e partnerët nuk hezitojnë të ndihmojnë. Ndërkaq shteti i Kosovës ka rritur buxhetin për ushtrinë, madje e ka dyfishuar atë e për pasojë ky shihet si tregues të interesit për të përballuar vetë sigurinë territoriale të vendit”, shpjegoi Bytyçi.

Në vazhdim, ai potencoi se me donacionet e Amerikës, pritshmëritë e Beogradit dhe disa miqve të tij shqiptarë për ndarjen e Kosovës marrin fund.

Po ashtu, Bytyçi beson që me këtë ndihmë ushtarake u shuan shpresat e Beogradit për tërheqjen e trupave amerikanë nga Kosova, njësoj siç kishte ndodhur me Afganistanin.

“Së treti, mjetet ushtarake që erdhën në Kosovë për mbrojtjen e territorit të saj. Kjo do të thotë se integriteti territorial i Kosovës është i shenjtë edhe për SHBA-të. Pritshmëritë e Beogradit dhe disa miqve të tij shqiptarë për ndarjen e Kosovës, ndryshimin e kufijve apo shkëmbimin e territorit marrin fund.

Së katërti, ndihma ushtarake amerikane erdhi në ditën kur SHBA-të u tërhoqën nga Afganistani. Tërheqja amerikane nga Afganistani pati shtuar mosbesimin ndaj prezencës së saj edhe në Kosovë. Entuziazmi më i madh u pa në Beograd, mediet e të cilit duartrokitën një deja vu afgane në Kosovë. Pati edhe mendjeshkurtër në Prishtinë, të cilët iu gëzuan kësaj deja vu-je, madje duke llogaritur edhe për sa orë do të mbërrinte në këtë rast ushtria serbe në Prishtinë. Dalldi serbe e serbofilësh ishte ajo. Dhe aleatët e Kosovës në Uashington dhanë një përgjigje të prerë e kuptimplote për këta gojë-shthurur. U thanë atyre se “SHBA-të nuk tërhiqen nga Kosova. Edhe nëse një ditë do të tërhiqen, SHBA-të nuk do të lejojnë që talebanët serbë të rikthehen në Kosovë“! Kush nuk e kupton këtë mesazh është i mjerë”, nënvizoi profesori.

Gjithashtu, Bytyçi vlerësoi se me veprimet e fundi po dëshmohet se qeveria e Kosovës mbështetet nga Uashingtoni edhe sa i përket dialogut, dhe kësisoj bien akuzat se kryeministri Kurti është anti-amerikan.

“Së pesti, furnizimi i ushtrisë së Kosovës me 55 mjete të blinduara si donacion amerikan dëshmon gjithashtu për faktin se qeveria e Kosovës mbështetet nga Uashingtoni edhe sa i përket dialogut. Kësisoj ata që i janë adresuar Albin Kurtit me akuza se ai qenka anti-amerikan. Pranimi pa mëdyshje nga Kosova të refugjatëve afganë dhe ky donacion janë dy dëshmi të pakontestueshme sa i përket mbështetjes që qeveria e re, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani gëzojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të lumturuarit me akuza anti-amerikane sidomos kundër Albin Kurtit duhet të struken dhe të mos e hapin më sqepin si lejlek në adresë të tij”, tha ndër të tjera ai.

Tutje, profesori deklaroi se Ushtria e Kosovës po forcohet çdo ditë e më shumë në qeverisjen e re, duke e forcuar pozitën e Kosovës në raportet me Serbinë.

Ai përmendi edhe dështimet e qeverive të kaluara në investimet dhe zhvillimin ushtarak të vendit.

“Së fundi, dua të them se ushtria e Kosovës po forcohet shumë në qeverisjen e re. Ajo u shndërrua nga FSK në ushtri me një ligj të veçantë, pa mundur të ndryshohet kushtetuta, nga qeveria Haradinaj. Por investimet më të mëdha janë bërë nga qeveria Kurti në adresë të saj. Ndërtimi i një reparti ushtarak në veri të Kosovës, si dhe modernizimi i kësaj ushtrie këto muajt e qeverisjes së re, janë shumë domethënëse. Kanë pasur mundësi që të investojnë edhe qeveritë e kaluara, sidomos ajo e Thaçit, i cili ka qëndruar si kryeministër nga viti 2007 deri në vitin 2015, pra për tetë vite radhazi. Por nuk deshën ta bëjnë këtë, sepse forcimi i ushtrisë i forconte pozitat e Kosovës në raportet me Serbinë. Një mbrojtje e fuqishme është një mbështetje e padiskutueshme e dialogut të favorshëm për Kosovën, ashtu siç është e tillë rritja ekonomike dhe e të ardhurave apo kompaktësimi politik i vendit në raportet me Beogradin” potencoi Bytyçi.

Krejt në fund, tha se donacioni i automjeteve ushtarake është një akt që rrit besimin dhe optimizmin edhe te qytetarët e Kosovës.

“Ishte e jashtëzakonshme ajo që ndodhi të dielën e shkuar me pranimin e këtyre mjeteve të blinduara nga SHBA-të. Është një akt që rrit besimin dhe optimizmin edhe te qytetarët e Kosovës. Mos harrojmë, dardanët ishin luftëtarët më të njohur të antikitetit kundër perandorisë së Romës e për këtë arsye Roma u detyrua të pranojë udhëheqjen e saj nga perandorët dardanë më të famshëm të saj, si Kostandini i Madh p.sh. Historia përsëritet dhe këtë histori e njohin amerikanët dhe evropianët!”, përmbylli Enver Bytyçi.