Me një “trohë bukë, një jogurt dhe një krem djathi” Policia po e mbronë Veriun e Kosovës

Për herë të parë në kryeqytet, Prishtinë, sot mbërriti edhe bora e parë derisa temperaturat janë -1 gradë celsius. Imagjinoni të jeni në veri, nën kërcënimin e vazhdueshëm të bandave kriminale, dhe nën vështirësinë e ndërrimit tuaj nga kolegët dhe nën rrezikun e furnizimit me ushqime dhe naftë?

Bukë e krem djathi

Një zyrtar policor në kushte anonimiteti nga veriu i Kosovës (në afërsi të njërës pikë kufitare) ka zbuluar që gjatë ditës së djeshme janë furnizuar thjesht me një “trohë bukë, një jogurt dhe një krem djathi”. Ai po ashtu ka rrëfyer edhe një episod kur kanë mbetur pa naftë në automjet dhe në pamundësi për t’u ngrohur.

Sipas rrëfimit të këtij polici që foli në kushte anonime, ata kanë shkuar edhe në bazën e KFOR-it, ndërsa këta të fundit nuk i kishin lënë të futeshin brenda por iu kishin dhënë megjithatë nga një shujtë me ushqim.

Të tjerë anëtarë të njësisë speciale kanë thënë se kishin ushqim të bollshëm të vendosura nëpër çanta të mëdha. Policia e Kosovës deri tash nuk ka treguar ndërkohë nëse është bërë ndërrimi, apo nëse do të bëhet një tentim i ri për ndërrimin e policëve të deritashëm. Ndërkohë, ka deklaruar se ka pasur ushqim të bollshëm për secilin prej tyre.