Milazim Krasniqi: Ky është gabimi më katastrofal i Albin Kurtit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e nënshkruar nga ish kryeministri Hashim Thaçi me NATO-n, është e dëmshme për shtetin e Kosovës.

“Marrëveshja në fjalë që ka qenë një shkëmbim i letrave që ju e përmendet ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e qytetarëve të Kosovës. Unë vazhdoj t’i qëndroj pas asaj që kam thënë në vitin 2020. Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së për shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij. E kam akuzuar titullarin e mëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës që kam dhënë firmën në një shkresë të tillë. Një problem që i ka rrënjët 8 vite më parë nuk mund të adresohet e rregullohet me një takim të vetë. Atëherë çështjen e kam referuar në prokurori dhe i mbetet prokurorisë. Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe NATO-së do të vazhdojnë që të thellohen”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se marrëveshja me NATO-n është një marrëveshje e dëmshme që nuk mund të rregullohet me një takim të vetëm me zyrtarë të NATO-s.

“Unë u përgjigja që kjo është një marrëveshje e dëmshme që e kemi trashëguar si shumë fakte të mëhershme. Nuk mund ta rregullojë një të keqe të madhe me një takim të vetëm të parë. Më 19 prill 2013 ka nënshkruar ish-kryeministri i Kosovës me ish—kryeministrin e Serbisë në 15 pika, gjashtë prej të cilave i referohen Zajednicës. Aty janë rrënjët e së keqes. Aty kanë qenë dy marrëveshje. Një që është bërë me BE-në dhe një me NATO-n e që nuk është sjellë kurrë në Kuvendin e Kosovës as për ratifikim”, deklaroi Kurti gjatë ditës së djeshme në Kuvend.

E profesori universitar, Milazim Krasniqi, këtë deklaratë të Kurtit e quan gabimin më katastrofal të tij.

“Armata serbe e ka pasur të ndaluar të futet në territorin e vet, për pesë km. Me një marrëveshje ndërmjet NATO-s e qeverisë, i është rikthyer e drejta të afrohet në kufi me Kosovën. Por, mund t’i suspendohet, kurdo që NATO dëshiron. E qartë? Pra, ata që në Kosovë flasin e veprojnë kundër akordit me NATO-n, janë duke i bërë dëm vetes e Kosovës. Ta denoncosh NATO-n në prokurori?! Këtë nuk e ka bërë as Serbia, që ka kapitulluar para saj. (Ky është gabimi më katastrofal i Kurtit për këto ditë.)”, shkruan profesor Krasniqi në facebook, përcjellë “Bota sot”.