Mjekët e QKUK-së këtë herë bëjnë mrekulli

Një histori suksesi si asnjëherë më parë ka ndodhur në njërën nga sallat e operacionit të Klinikës Emergjente të QKUK-së. Aty, para disa ditëve është kryer një operacion shumë i rrallë e shumë i ndjeshëm. Për herë të parë në Kosovë, mjekët vendës kanë arritur që t’ia shpëtojnë dorën një të riu 27-vjeçar i cili ishte lënduar keq në vendin e tij të punës. Pas 14 ditësh qëndrimi në QKUK, 27-vjeçari u lirua për në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore. Si ndodhi rasti?

Stafi mjekësor në Qendrën Klinike e Universitare të Kosovës ballafaqohen me shumë vështirësi. Mungesa e kushteve të punës, e infrastrukturës, mungesa e aparaturave, instrumenteve, e medikamenteve mjekësore, janë vetëm disa nga mangësitë e këtij institucioni shëndetësor. E krahas kësaj, ka edhe mjekë që nuk e kryejnë siç duhet punën e tyre. Ankesa për këtë gjë kemi marrë dhjetëra herë nga pacientët e i kemi raportuar.

Por jo gjithçka është zi në këtë institucion. E themi këtë, për shkak se mjekët e QKUK-së, para disa ditëve, thuajse të pamundurën e bënë të mundur.

Bëhet fjalë për realizimin e një operacioni shumë të rrallë e shumë të ndjeshëm.

Për herë të përë, në sallat operative të QKUK-së, mjekët kanë arritur që t’ia shpëtojnë parakrahun thuajse të prerë një 27-vjeçari, i cili ishte lënduar rëndë në vendin e tij të punës.

Për këtë operacion, hollësi dhanë vetë mjekët e QKUK-së që kanë marrë pjesë në ndërhyrje. Mjeku Lulzim Vokrri tregon për vështirësitë gjatë realizimit me sukses të këtij operimi.

“I nderuar dhe shumë i privilegjuar që të udhëheqja operimin dhe që së bashku me kontributin e të gjitha ekipeve nga Kirurgjia Vaskulare, Klinika e Ortopedisë, Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive, Neurokirurgjisë, anesteziologëve dhe pjesës tjetër të ekipit operativ, kemi kryer me sukses operimin tek një pacient i moshës 27 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën më distale të arteries radiale dhe ulnare, (arterie që ushqejnë dorën me gjak), e që është rast i rrallë dhe i suksesshëm i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”- ka shkruar dr. Vokrri.

Postimi plote: