Mustafa godet Enver Hoxhajn: Mos gënje, Asociacionin e ka nënshkruar Hashim Thaçi!
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka gënjyer në seancën e sotme.
Sipas tij, vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është në Marrëveshjen e Parë, të cilën e ka negociuar dhe e ka nënshkruar Kryeministri i atëhershëm, z. Hashim Thaçi.
“…jo Isa Mustafa siç gënjen Enveri. Marrëveshja është ratifikuar me Ligj, në vitin 2013, me 2/3 e Kuvendit dhe është bërë obligim ndërkombëtar”.
Postimi i plotë:
Pse ka nevojë Enver Hoxhaj të gënjejë nga foltorja e Kuvendit?!
Është profesor universitar, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës; një kohë ministër i jashtëm sa kam qenë unë Kryeministër.
Vendimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, është në Marrëveshjen e Parë, të cilën e ka negociuar dhe e ka nënshkruar Kryeministri i atëhershëm, z. Hashim Thaçi (jo Isa Mustafa siç gënjen Enveri). Marrëveshja është ratifikuar me Ligj, në vitin 2013, me 2/3 e Kuvendit dhe është bërë obligim ndërkombëtar.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se Asociacioni do të themelohet ashtu siç është paraparë me Marrëveshjen e parë e ratifikuar nga Kuvendi dhe e shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Unë kam nënshkruar një marrëveshje të parimeve të përgjithshme për implementimin e Marrëveshjes së Parë, si pjesë e zbatimit të Ligjit për ratifikimin e kësaj Marrëveshje.
E kam instaluar dhe fuqizyar rolin e Gjykatës kushtetuese, si arbitër përfundimtar. Por, të thuhet se unë e kam bërë marreveshjen në vitin 2015 për themelimin e Asociacionit, kur për te është vendosur në vitin 2013, është e pavërtetë absolute. Pse vazhdon avazin e gënjeshtrave Enver Hoxhaj, ai e di. Por me rrenë nuk i bënë mirë as partisë së tij e lere më Kosovës. IM