NATO kurrë s’do ta lejojë kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë

Ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso ka thënë se NATO kurrë nuk do ta lejojë kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Këto deklarime Grasso i bëri në një repblikë bërë në cicërimën e gazetarit kosovar Besnik Velija në rrjetin social “Twitter”.

“Sipas rezolutës 1244, personeli serb mund të lejohet që t’i kryejë vetëm katër detyra (funksione). Asnjë nga këto pika nuk është në përputhje me situatën dhe qëllimet e Aleksandar Vuçiq. Ai e di mirë që NATO dhe KFOR-i nuk do ta lejojë kurrë këtë”, tha ndër të tjerash Grasso.

Veç kësaj, ai publikoi edhe pjesë nga rezoluta dhe funksionet që ushtria serbe do të mund t’i kryente.

“Pas tërheqjes në numër i personelit jugosllav dhe serb do të lejohet të kthehet për t’i kryer funksionet e mëposhtme: Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë; Shënimi/pastrimi i fushave të minuara; Mbajtja e një pranie në vendet e trashëgimisë; Mbajtja e pranisë në pikat kyçe kufitare”, shkruan në dokument.

Alarmi
Mediat serbe kanë alarmuar me raportimet së fundi, duke pretenduar se sonte pritet të ndodhë një aksion i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, në veri, të cilin po e konsiderojnë si “fillim të një lufte”. Qeveria deri më tani, nuk ka reaguar në lidhje me këto raportime, pavarësisht se i është kërkuar një koment nga Gazeta Nacionale.

Ka qenë fillimisht mediumi “Kosovo-Online” që ka cituar një deklaratë të Goran Rakiq, ish-ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverin Kurti, duke thënë se po përgatitet një “kaos” në veri të Kosovës.

Siç citohet kryetari i Listës Serbe, ai ka thënë se: “Në bazë të informacioneve që kemi, Albin Kurti sonte do të dërgojë njësinë speciale të armatosur dhe njësi të tjera në veri të Kosovës për të përndjekur popullin serb dhe për të kryer Stuhinë (Operacioni i famshëm Olluja)”.

Konferenca

Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se Serbia po kërcënon sërish me luftë dhe rikthim të trupave ushtarake.

Në një konferencë para gazetarëve, Kurti ka folur në lidhje me situatën e krijuar në veri të vendit, që po vazhdon të jetë e tensionuar, pavarësisht shtyrjes së zgjedhjeve për kryetarët e katër komunave veriore.

“Pas 23 viteve nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe rikthim të trupave të saj ushtarake, të cilët patën kryer gjenocid në Kosovë. Beogradi po flet dhe sillet si para 23 viteve, dhe udhëhiqet nga një kastë e njëjtë politikanësh, ish-ministri dh eish-zëdhënësi i partisë së Millosheviqit. Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë, pra kërkon të vazhdojë luftën që e humbi dhe kapitullimin e pranoi asokohe në Kumanovë, më 9 qershor 1999.” – tha ai.

Shok-bomba, policia sulmohet me armë zjarri, sulmohet edhe EULEX-i
Kjo ka qenë situata në veri gjatë 24 orëve të fundit.

Policia u sulmua me armë zjarri nga grupet kriminale në afërsi të Ujmanit. Në Zubin Potok u raportuan edhe gjuajtje me shok-bomba. Në disa zona të veriut ka barrikada.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë sulmuar me armë zjarri në Ujman, dhe janë detyruar që të përgjigjen me të shtëna.

Të shtëna janë raportuar edhe në zona tjera.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut”, thuhej në komunikatën e Policisë.


Ndërkaq, mbrëmë është sulmuar edhe një veturë e Policisë së EULEX-it, rast për të cilin, ky mission do të dilte me një komunikatë për media gjatë së dieles.

“Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar. EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar.” – thuhej në komunikatë, derisa bëhej e ditur se nuk ka pasur zyrtarë të lënduar.