Ndërkombëtarët e thanë qartë: Kosova në rrugën e duhur, Serbia në të gabuarën

Të shumta qenë reagimet e ndërkombëtarëve pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Ambasadat amerikane në Prishtinë e Beograd, bashkë me ato britanike në të dy kryeqendrat dolën me komunikata zyrtare, me ç’rast kërkuan nga bandat kriminale në veri të vendit që t’i heqin menjëherë barrikadat.

Sipas tyre, arrestimi i një të dyshuari nuk përbën pretekst që të vendosen postblloqe në rrugët e pjesës veriore të Republikës së Kosovës, ashtu siç po ndodh tani.

Ne e kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare gjatë zbatimit të ligjit dhe aktiviteteve për organizim të zgjedhjeve dhe se ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime e frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”, thuhet fillimisht në komunikatën e përbashkët të ambasadave amerikane.

Tutje, palët janë ftuar që të përmbahen nga veprimet nxitëse dhe kështu të evitojnë çfarëdo de-përshkallëzimi të situatës.

“I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”.

Edhe britanikët ishin të këtij mendimi, duke denoncuar të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare.

“Ne presim që të gjitha pengesat ilegale të hiqen dhe t’i jepet fund kërcënimeve, dhunës dhe frikësimit. Ne vlerësojmë dhe mbështesim plotësisht Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) në punën e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe kontributin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në mbështetjen e autoriteteve kosovare për sundimin e ligjit. Ne i dënojmë fuqishëm dhe i cilësojmë si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”.

Gjermania

Ishte goxha e ashpër. Ministrja e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock ka thënë se Kosova bëri atë që duhej, duke ulur tensionet, kurse Serbia po e bën të kundërtën.

Përmes një cicërime në rrjetin social “Twitter”, Baerbock shkroi se ideja e fundit për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është e papranueshme.

Veç kësaj, ajo shtoi se të papranueshme janë edhe sulmet ndaj EULEX-it.

“Kosova i uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia e bënë të kundërtën. Ideja për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht e papranueshme. Siç janë edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it. E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga Mirosllav Lajçaku”, shkroi ndër të tjerash ajo.

I këtij mendimi ishte edhe shefi i misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Wigemark shpërndau postimin e ministres gjermane, duke konfirmuar kështu në heshtje atë që pohoi kryediplomatja gjermane.