Ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa, “mbulohet” me flamurin Kuq e Zi (Video)


Ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa në Dubai, është ndriçuar krejtësisht me flamurin kuq e zi për nder të festës së 28 Nëntorit që e festojnë krejt shqiptarët kudo në botë.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, i cili ka thënë se Dubai sonte është zbukuruar më shumë se kurrë.

“Sonte Dubai u zbukurua më shumë se kurrë. Në ndërtesën më të madhe në botë (Burj Kalifa) u ekspozua flamuri kuq e zi. Urime Dita e Flamurit”, ka shkruar ai në Facebook ku edhe ka postuar fotografitë ku shihet Burj Khalifa “e mbuluar” me flamurin kombëtar.

Edhe faqja zyrtare në Facebook e “Burj Khalifa” e ka postuar momentin kur ndërtesa më e lartë në botë është ndriçuar kuq e zi.

“Burj Khalifa është ndriçuar me flamurin shqiptar për nder të Ditës së tyre Kombëtare. Ne ju urojmë prosperitet dhe zhvillim”, shkruhet poshtë videos.