“Nëse dëshironi ta shihni Ramën të lumtur, ia afroni një serb, nëse dëshironi të çmendet nga urrejtja një kosovar”

Njohësi i çështjeve politike dhe veprimtari i çështjes kombëtare në SHBA, Ramazan Bekteshi, përmes një postimi në facebook ka kritikuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili së fundi gjatë vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel në Tiranë, sulmoi ashpër Kosovën, e cila ka refuzuar që t’i bashkohet “Open Balkanit”.

“Nëse dëshironi ta shihni Ramën të lumtur, ia afroni një serb, nëse dëshironi të çmendet nga urrejtja, ia afroni një kosovar!”, ka shkruar Bekteshi.

Kujtojmë se Edi Rama në konferencën e përbashkët me Merkel, Edi Rama edhe njëherë sulmoi ashpër Kosovën.

“Kancelarja me të drejtë i mëshon në mënyrë të vazhdueshme nevojës që 6 vendet të nënshkruajnë marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal. Procesi i dakordësimit është i ngatërrimit dhe ajo që kemi parë në të shkuarën është që një vend apo tjetër bën që të gjithë të ngecin prandaj Ballkani i Hapur nuk është krijuar për të përjashtuar njeri por për të mos u varur nga vetot e njërit apo teoritë e konspiracionit të tjetrit. Procesi i Berlinit ka 4 liritë e BE, të njerëzve, kapitaleve, mallrave dhe shërbimeve dhe investimet që vijnë nga paketa e komisionit. Sa i përket investimeve, ecën paralelisht. Sa i përket 4 lirive, duam të ecim më shpejt. Një nga pengesat ka qenë se Serbia nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve se ka pasur paragjykimin se lëvizja e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ishte e garantuar. Sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet por rri dhe bën teori konspiracioni për “Open Balkan”. Traseja është e shtruar. Procesi i Berlinit do të vazhdojë, Open Balkan është mekanizëm për ta përshpejtuar. Nuk ka asnjë kontradiktë mes të dyjave”, tha Edi Rama.