“Nëse Perëndimi s’mund t’i bëjë asgjë Albin Kurtit, si mundet Serbia?”

Kryetari i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Albin Kurti absolutisht nuk e respekton Marrëveshjen e Brukselit dhe as bashkësinë ndërkombëtare dhe se zgjedhjet në Kosovë mund të organizoheshin, por se kjo “do t’i jepte justifikim policisë së Prishtinës të marrë masa”, raporton RTV, përcjellë Gazeta Blic.

“Kjo nuk është fitore e Prishtinës, nëse do të kuptoheshim, ne do të mund t’i organizonim zgjedhjet pa problem, por ata do ta përdornin si alibi që policia në veri të Kosovës të ndërhynte, do të kishte incidente dhe dikush mund të akuzonte Beogradin. Por ky është një shembull i qartë se Kurti absolutisht nuk respekton as Marrëveshjen e Brukselit dhe as komunitetin ndërkombëtar. Megjithatë, ky është gjithashtu një tregues se komuniteti ndërkombëtar nuk dëshiron të pozicionohet në mënyrë të tillë që ta detyrojë Prishtinën të respektojë Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë Daçiq.

Ai përkujtoi se Bashkimi Evropian ka thënë se nga Prishtina e kanë marrë me keqardhje lajmin se zgjedhjet në Kosovë nuk mund të organizohen.

“Nëse Perëndimi nuk mund t’i bëjë asgjë Kurtit, atëherë si mundet Serbia? Do të ishte një precedent i madh për ne që të vendosim sanksione, sepse ne nuk do të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Unë nuk besoj se është në interesin e Perëndimit të humbas Serbinë në rrugën evropiane”, tha Daçiq.

Ai theksoi se interesi parësor i Serbisë është ruajtja e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial dhe pa Rusinë, Serbia vështirë se mund ta ruajë pozitën e saj në Kombet e Bashkuara, “sepse nëse Moska është me Beogradin, Rusia mund të vërë veton dhe e ashtuquajtura Kosova nuk mund të hyn kurrë në OKB”.

“Ne duhet të shmangim të qenit irracional dhe emocional për situatën aktuale. Nëse jemi të gatshëm të heqim dorë nga Kosova, atëherë mund të vendosim sanksione ndaj Rusisë. Por nëse nuk jemi gati, atëherë nuk mundemi. Si do ta mbrojmë Kosovën pa aleat? Nuk e vura re se ne kemi një aleat të ri. Sanksionet kundër Rusisë nuk do të dëmtojnë Rusinë, por Serbinë. Rusia i ka ‘mbijetuar’ sanksioneve të Malit të Zi,dhe do t’i kishte mbijetuar edhe sanksioneve të Serbisë”, tha Daçiq.