Ngritet Alarmi, Ja çfarë mishi po konsumojnë Kosovarët


Isuf Statovci është fermer nga fshati Rufc i ri i Lipjanit. Ai ka rreth 40 krerë lopë, dhi dhe dele.
Përpos për prodhimin e produkteve nga qumështi, Isufi rrit bagëti edhe për shitje të mishit.

Por, viteve të fundit, Isufi thotë se fermerëve si ai u ka rënë dukshëm shitja, si pasojë e çmimit të ulët dhe sasisë së madhe të mishit që importohet.

“Problemi është te blerësi, sepse blerësi po shikon (të blejë) lirë, do të thotë aty është problemi. Sa të duash i thua [konsumatorit] ‘bio’, se natyral është, i kullosës viçi, do me thëmë në fushë është, siç po e shihni vetë edhe ju. Cilësia e mirë me cilësinë e dobët njëjtë shikohen, do të thotë si cilësia e mirë, si ajo e keqe, i njëjti çmim. Nuk është sikur ky vendor dhe sikur ai i importit, nuk është. Ky është natyral”, thotë Statovci.

Krahas kërkesës që ka në treg, Kosova prodhon sasi të vogël të mishit dhe produkteve të tij. Sasia më e madhe e mishit importohet nga vende të ndryshme të botës.

Në vit, Kosova importon më shumë se 45 milionë ton mish, sasia më e madhe e të cilit është mish gjedhi, lloje të ndryshme të mishit të pulës dhe të derrit.

Mishi i importuar kalon nëpër kontrolle të shumta derisa arrin te konsumatori.

Sasia më e madhe e mishit importohet nga shteti i Brazilit, gjithsej 18 milionë kilogramë mish. Në vend të dytë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej nga Kosova importon rreth 7 milionë e gjysmë kilogramë mish, ndërsa nga Mbretëria e Bashkuar importohen rreth 4.5 milionë kilogramë mish. Nga Polonia importohen më shumë se 3 milionë kilogramë, ndërsa nga Gjermania pak më shumë se 2 milionë kilogramë mish.

Gazmend Brestovci që është inspektor veterinar, thotë se çdo sasi që importohet në Kosovë, në rast se ka dyshime për cilësinë, ai mish apo produkt asgjësohet.

“Detyra jonë është kjo, për të qenë një mall më i sigurt dhe për këtë, ne, çdo ngarkesë e kontrollojmë, duke filluar nga dokumentacioni, identiteti dhe kontrollet fizike, së fundi edhe analiza laboratorike, gjithherë që të kemi siguri, malli të jetë i sigurt”, thotë Brestovci.

Përkundër kontrolleve të shumta që bëhen nga institucionet, gjatë vitit në tregun e Kosovës vazhdimisht janë identifikuar produkte dhe mish i prishur.