Eurodeputetja gjermane
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar në Uashington më 4 shtator në mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ishte aq historike siç po e paraqesin disa njerëz.
Ajo ka thënë se marrëveshja ishte e kufizuar, pasi kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kanë nënshkruar dokumente të veçanta.
Viola von Cramon, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Greqia të njohë së shpejti pavarësinë e Kosovës. Sipas saj, për rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë, çështja duhet të zgjidhet me BE-në në tërësi.
“Sigurisht, njohja nga vendet individuale ka rëndësi, por do të jetë e mundur të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme vetëm nëse ekziston një marrëveshje midis Serbisë dhe Kosovës. Për rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë, çështja duhet të zgjidhet me BE-në në tërësi. Unë thjeshtë nuk mund ta imagjinoj se si do të funksiononte brenda institucioneve të BE-së nëse do të kishte vende mosnjohëse”, ka thënë ajo më tej për “Bota sot”.
Ajo ka shtuar se Grenell deri tani nuk ishte i gatshëm të drejtojë një zgjidhje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë.
“Sigurisht, mund të imagjinoja që SHBA-të të kishin një rol ndërmjetësues, që nga rëndësia e saj historike dhe strategjike në rajon, por deri më tani veprimet e Z. Grenell nuk treguan gatishmërinë e tij për t’u përpjekur të drejtojë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe konsensuale”, ka deklaruar eurodeputetja gjermane Viola von Cramon për gazetën “Bota sot”.