PDK-ja për Specialen: Nuk është ajo që na u premtua (VIDEO)

Koordinatori i departamentit për drejtësi në kabinetin për qeverisje të mirë nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Gruda, ka thënë se Gjykata Speciale ka devijuar rrugën dhe nuk është ajo që u premtua nga ndërkombëtarët të cilët kërkuan themelimin e saj.

Sipas Grudës, PDK-ja po mendon t’u kërkojë ndërkombëtarëve që të lejohet apelimi i vendimeve të Speciales në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

“Specialja është shndërruar në një mekanizëm që s’e kontrollon askush, çdo ditë rrjedhin skandale. Ne si PDK ende s’kemi marrë vendim, por po mendojmë të ulemi me aleatët dhe t’i themi se kjo nuk është ajo që na premtuan. Ne do të kërkojmë garancion ndërkombëtar që kjo gjykatë të na japë të drejtë që vendimet e saj t’i ankimojmë në Gjykatën Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Hapi i dytë do të jetë kërkesa që Specialja të lidhë marrëveshjen e Këshillin e Evropës që ju ofron qasje vetëm të akuzuarve për t’i ankimuar vendimet në Strasburg”, ka thënë Gruda në “Interaktiv” të KTV-së.

Gruda ka theksuar se Specialja u formua për ta hetuar raportin e Dick Martyt dhe, sipas tij, pasi u vërtetua se ai raport nuk qëndron, aktakuza u përhap në lloj-lloj pretendimesh.

Ai ka thënë se PDK-ja dhe ata që e votuan nuk duhen të mbahen përgjegjës për devijimin e rrugës së Gjykatës Speciales. Ka shtuar se themelimi i saj, nëse nuk do të ndodhte në Kuvendin e Kosovës, do të bëhej nga ndërkombëtarët dhe, siç ka thënë Gruda, kjo do t’i mbetej një njollë e zezë Kosovës.

Gruda ka thënë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët janë të akuzuar në Hagë, zgjodhën të luajnë rolin e burrështetasve kur kërkuan themelimin e kësaj gjykate. E ka cilësuar si proces të pashmangshëm themelimin e saj.

Gruda në rolin e juristit ka thënë se është i bindur që aktgjykimi ndaj Salih Mustafës, që u dënua sot me 26 vjet burgim, do të rrëzohet tërësisht në shkallën e dytë. I bindur është që edhe aktakuzat ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të rrëzohen, pasi, siç ka thënë, “janë të pabazuara në fakte”, ashtu sikur në rastin e Mustafës.