“Për gjynah jeni ba”


Nijazi Kryeziu, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-këshilltar disavjeçar i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, thotë se ka qenë dhe do të jetë gjithmonë pjesë e PDK-së, ani pse para pesë ditësh ishte paraqitur nervoz me bashkëpartiakët e tij, pjesëtarë të kabinetit të kryetarit të këtij subjekti politik. Si një nga bashkëpunëtorët e Veselit që ai i shkarkoi për shkak të aktakuzave, Kryeziu vazhdon ta konsiderojë veten mik të mirë të kryetarit të PDK-së, të cilit ia ka dhënë një rekomandim për dilemën se a duhet të futet PDK-ja në Qeveri.

Ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu kishte vlerësuar se disa nga bashkëpartiakët ishin bërë “për gjynah”, duke iu komentuar në një fotografi të përbashkët të tyre.

Ai u ka thënë atyre “me këmbë përpjetë e duar në xhepa nuk fitohet”.

Por, në një prononcim për Gazetën Express, Kryeziu ka thënë se “në PDK ndihem si në shtëpinë time, në famljen time”.

“Kam qenë, jam dhe gjithmonë do të jem PDK. Unë krejt aktivitetin tim politik pas luftës e kam bërë në PDK”, ka thënë Kryeziu, duke e cilësuar si paragjykim të mediave raportimin për komentin e tij të ashpër ndaj bashkëpartiakëve, të cilin më pas e kishte fshirë.

Kryeziu ka thënë se dihet që ai ua thotë me zë mendimet e tij shokëve e kolegëve, duke mos pranuar ta japë një vlerësim për anëtarët e kabinetit të shefit të tij në parti, Kadri Veselit.

Ai ka thënë se megjithatë, vendimmarrjen në PDK e ka edhe Kryesia e Këshilli Drejtues.

“Qenkeni inspiruar nga një koment i imi te postimi i kolëgeve të kabinetit të kryetarit. Nëse ne debatojmë mes vete dhe ngacmohemi ndonjëherë, kjo nuk duhet të paragjykohet nga ju e asnje medium. Të gjithë e dijnë që unë mendimet e mia i them me zë mes shokëve e kolegëve. Kryetari i partisë me Statut të partisë ka ekskluzivitet në përzgjedhjen e ekipit të tij të këshilltarëve që mbulojnë fushatë perkatese, por vendimmarjen në parti e ka Kryesia dhe Këshilli Drejtues bashkë me kryetarin”, ka thënë Kryeziu.

Ndonëse në qershor të vitit të kaluar kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e kishte shkarkuar atë për shkak se kishte aktakuzë si një nga protagonistët e aferës “Pronto”, Kryeziu vazhdon ta konsiderojë Veselin si mik e të afërt në mendime.

“Unë konsideroj se jemi miq të mirë me kryetarin Veseli, jemi të afërt në mendime e të hapur në diskutime, jemi në bashkë udhëtimin tonë të përbashkët në funksion të forcimit e zhvillimit të shtetit tone. Kadri Veseli është kryetari imi, dhe qindra mijëra demokratve”, ka thënë Kryeziu.

Si mik i mirë Veselit, siç e konsideron veten, Kryeziu nuk i rekomandon atij që ta fus PDK-në në Qeveri. Këtë akt, ai e konsideron vetëm në funksion të shpëtimit të Qeverisë Hoti.

“Personalisht mendoj që PDK nuk duhet te hyjë në Qeveri. E para, më 6 tetor në mbremje kemi vulosur statusin tonë si opozitarë; e dyta, ne nuk mund ta luajmë rolin e shpëtimtarit të Qeverisë Hoti dhe të asnjë qeverie. Ne jemi natyrshëm të krijuar e të gatshëm për të udhëhequr Qeveri me projektet tona dhe me partnerët tradicionalë që veten e shohin si pjesë te vizionit e të implementimit të platformës sonë politike”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai i ka thurur lavde PDK-së, që sipas tij, do të kthehet në pushtet edhe më e fortë.

“PDK është akademi politike për spektrin politik në Kosovë. Është parti e vlerave; është dinamizmi dhe inovacioni vlera e përbashkët e demokratëve që e mbajnë aktive PDK-nnë anë e kënd Kosovës. PDK-ja do të kthehet në Qeveri edhe më e fortë, edhe më me përvojë dhe gjithmonë me plan e propozime konkrete për ecje përpara të shtetit të Kosovës”, është shprehur Kryeziu.

Nën një fotografi ku anëtarët e ekipit të kryetarit të PDK-së, Avni Bytyçi, Bashmir Xhemaj, Gaz Krasniqi, Adri Nurellari e Blerand Kadrijaj, Kryeziu i kishte kritikuar ashpër për mënyrën se si punojnë ata.

“Për gjynah jeni ba. Me këmbë përpjete e duar në xhepa nuk punohet e nuk fitohet. Hapni sytë, ulni këmbët e hekni duart prej xhepave, kthejuni strukturave e terrenit”, ka shkruar Kryeziu ndër tjerash.

Ai kishte punuar bashkë me zëdhënësin e PDK-së, Avni Bytyçin – i cili e kishte publikuar fotografinë që e kishte bërë nervoz Kryeziun. Të dy ishin pjesë e kabinetit të ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli si këshilltarë.

Ndryshe, Nijazi Kryeziu ishte akuzuar nga Prokuroria për veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, në rastin e njohur si “Pronto”. Për këtë, ai dhe të gjithë të tjerët të përfshirë në këtë rast u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Posa u lirua nga akuzat e “Prontos”, Kryeziut menjëherë i ishte ngritur një tjetër aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë periudhës 2014-2016. Në atë kohë sa ka qenë drejtor i Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Kryeziu dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për dikë tjetër (pronarëve të objekteve të ndërtuara), kanë shkaktuar dëme në kurriz të kompanisë që menaxhon me hekurudhat e Kosovës, “Infrakos”.

Ndonëse më nuk akuzohet për “Pronton”, ai bashkë me të akuzuarit tjerë në këtë rast janë në listën e personave që nuk do të paijsen me vizë dhe nuk do të mund të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).